Sulmohet një pikë kontrolli policor në veri të Kosovës

Pikë kontrolli policor tek “Tre rrokaqiejt” në veri të Mitrovicës është djegur pjesërisht nga një shpërthim i fuqishëm që dyshohet të jetë shok-bombë, por për fat të mirë nuk ka të lënduar.

Lajmi është konfirmuar edhe nga zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani. Ai tha se nuk ka të lënduar dhe se janë shkaktuar dëme materiale.

Elshani po ashtu ka thënë se pak para mesnatës, pjesëtarët e njësisë speciale të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të Mitrovicës kanë tentuar të ndalojnë veturën e drejtuar nga një person.

“Shoferi nuk iu bind urdhrit të punonjësve të policisë dhe vazhdoi tutje. Policia e ka ndjekur dhe ka gjetur një automjet të braktisur në rrugën Sutjeska. Vetura është kontrolluar dhe më pas policia është larguar nga vendi i ngjarjes”, ka shtuar ai.

Ai ka theksuar se askush nuk është arrestuar me atë rast./Express/


Shtuar 29.06.2023 09:20

Tags: