Kovaçevski – Dreksler: Partneriteti mes Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë është i fuqishëm dhe priten suksese të përbashkëta edhe më të mëdha

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot pati takim me ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë në vend, Petra Dreksler.

Në takim u përmblodhën përshtypjet nga vizita e javës së kaluar e Kryeministrit Kovaçevski në Berlin. Në të njëjtën kohë, Kryeministri Kovaçevski shprehu mirënjohjen e tij në emër të Qeverisë dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e parezervë nga Republika Federale e Gjermanisë për proceset demokratike në vendin tonë, për integrimin në Bashkimin Evropian dhe konkretisht për mbështetjen e shprehur për zbatimin e kornizës negociuese ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.

Me këtë rast, Kryeministri e vuri në dukje rëndësinë e Rezolutës së Bundestagut të Gjermanisë, me të cilën shprehet mbështetje e fuqishme për integrimet evropiane të vendit, si dhe njihet kultura, gjuha dhe identiteti maqedonas.

Siç thuhet në kumtesë, në takim u theksua edhe një herë mbështetja e fuqishme dhe e qartë nga Gjermania për vazhdimin e hapave të ardhshëm në procesin integrues evropian të Maqedonisë së Veriut, si një mundësi unike të cilën e ka vendi ynë.

Kryeministri Kovaçevski dhe ambasadorja Dreksler u shprehën të kënaqur që partneriteti maqedono-gjerman, i cili këtë vit shënon 30 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve, është duke u përmirësuar dukshëm dhe në vazhdimësi, siç dëshmohet nga bashkëpunimi i zhvilluar ekonomik.

“Në të njëjtën kohë, u konfirmua rëndësia e procesit të Berlinit dhe përkushtimi i vendit tonë për përforcimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe projekteve në korniza të të njëjtit”, shtohet në kumtesën e shërbimit qeveritar për shtyp./shenja