Fushata për 14 majin, Rrumbullaku: U evidentuan 54 vepra penale në fushën e krimeve zgjedhore

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka bërë me dije në një deklaratë për mediat se gjatë fushatës elektorale janë evidentuar gjithsej 54 raste të veprave penale në fushën e krimeve zgjedhore, për të cilat janë proceduar penalisht gjithsej 88 shtetas.

Ai shtoi se në kuadër të masave të ndërmarra gjatë fushatës elektorale, nga strukturat e Policisë së Shtetit u angazhuan maksimalisht 5081 punonjës policie, për mbarëvajtjen e 1471 aktiviteteve elektorale, dhe në asnjë aktivitet elektoral, të zhvilluar në ambiente të hapura dhe të mbyllura, nuk është evidentuar asnjë incident që cenon procesin.

Nga të dhënat statistikore rezulton se:

Nga data 14.04.2023 deri më 12.05.2023, janë evidentuar gjithsej 54 raste të veprave penale në fushën e krimeve zgjedhore, për të cilat janë proceduar penalisht gjithsej 88 shtetas.

Të ndara sipas veprave penale:

1-Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve, 25 raste me 45 autorë;

2-Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike apo zgjedhore, 1 rast me 1 autor;

3-Korrupsioni pasiv në zgjedhje, 20 raste me 25 autorë;

4-Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje, 2 raste me 3 autorë;

5-Pengimi i zgjedhësit, 3 raste me 7 autorë;

6-Shkelja e të drejtës së zgjedhjes, 3 raste me 7 autorë.

“Për veprat penale të sipërcituara, grupet e posaçme hetimore kanë vepruar në përputhje të plotë me ligjin dhe me autorizimet e organeve proceduese, si dhe vijojnë hetimet e thelluara për dokumentimin e plotë ligjor të këtyre rasteve.

Tashmë kemi mbërritur në fazën finale të këtij procesi, dhe detyrat dhe angazhimi i Policisë së Shtetit janë më të shtuara, me qëllim që të garantohet rendi dhe siguria publike, si dhe që çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë të ushtrojë qetësisht dhe i sigurtë, të drejtën kushtetuese për të votuar.

Në përfundim, apeloj që qytetarët të denoncojnë çdo rast që cenon të drejtën e tyre për të votuar, apo që synon të tjetërsojë votën e tyre.

Njëkohësisht, apeloj për të gjitha subjektet politike, që të zbatojnë me korrektësi detyrimet ligjore dhe të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit, për çdo rast të cenimit të ligjit.

Policia e Shtetit është shumë e vendosur dhe e angazhuar për të siguruar deri në fund mbarëvajtjen e procesit zgjedhur, si dhe për  mbajtjen në kontroll të plotë të të gjithë territorit të vendit, me qëllimin e vetëm,  sundimin e ligjit”, deklaroi Rrumbullaku.

 


Shtuar 12.05.2023 18:48