“Po të kisha informacione do ia dorëzoja FBI-së”, Rama flet për paratë ruse në PD: Skandalin e mora vesh nga mediet

Kryeministri Edi Rama ka folur sot dhe për akuzat nga opozita se financimi rus në PD ishte një çështje që u stis nga ai me bashkëpunim të ish-zyrtarit të lartë të FBI Charles McGonigal.

Rama tha se skandalin e ka marrë vesh si shumë të tjerë kur ka dalë në publikim nga BIRN dhe se po të kishte më shumë informacion apo dokumente do ia jepte zyrtarit të lartë të FBI apo çdo zyrtari tjetër të FBI.

“Interesant si pikturohet panorama e gënjeshtrës duke aluduar që ajo që ka ndodhur me skandalin e marrjes së parave ruse për të rrëzuar qeverinë në Tiranë, është një sajesë e lidhur me mua dhe McGonigal.

Skandalin e kam marrë vesh si shumë të tjerë kur ka dalë në publikim nga BIRN. Edhe në aktakuzë, datat e përmendjes së këtij fakti janë në atë periudhë kur këtu bëhej nami në media për atë skandal.

Nuk kam pasur asnjë informacion apo dokumente më shumë, dhe në asnjë institucion nuk kemi pasur asgjë më shumë se ajo që ka zbuluar BIRN sepse po ta kishim do ia jepja zyrtarit të lartë të FBI apo çdo zyrtari tjetër të FBI apo nëse do më thoshin s’është për mua, do i pyesja ku duhet ta çoja sepse bëhet fjalë për interferencë të parasë ruse në vendin tonë përmes PD.

Nuk e kam bërë sepse nuk kam pasur asnjë informacion më shumë. Kjo nuk ka lidhje me mua apo qeverinë time. Për sa më takon, asnjëherë nuk i kam vënë në dispozicion informacion apo nuk i kam kërkuar ndonjë shtysë zotërisë në fjalë sepse nuk kisha”, tha Rama në Top Channel.