“Berisha ka falimentuar”, Ngjela: Do sulmohet  me fakte nga Amerika

Avakot Spartak Ngjela ka komentuar pwrplasjes mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kryedemokratit Lulzim Basha, duke e cilësuar si një “konflikt” anormal.

Sipas avokatit, Berisha i cili vijon të zhytet më shumë në gënjeshtrat e tij, sulmon dhe flet për Bashën, ndërkohë që mbështetësit ish-kryeministrit e mbështesin.

Ngjela thotë se mbështetësit e Berishës nuk e kuptojnë pse brohorasin një njeri që është futur në listën e zezë të SHBA-së.

Postimi i plotë:

Tani që dihet kush është Sali Berisha, ç’janë këta që brohorasin për të?

Nuk ka rëndësi, sepse ata janë të pakët në numër; por ky është një fenomen negativ me rëndësi të brendshme psikologjike që shqetëson tërë shoqërinë.

l.

Të gjithë këta tani dihet se janë jashtë kohës, por nuk e kuptojnë dot, se nuk i lë pasioni. Prandaj përbëjnë një fenomen shoqëror të kufizuar në numër; por që gjithsesi është fenomen.

Pyetjet më kryesore që mund të ngrihen për këtë fenomen, janë këto që vijnë më pështë:

Si ka mundësi që të pranohet ende në Shqipëri një njeri i inkriminuar që, me urdhërin e tij, tani e provuar, ka  vrarë katër njerëz të pafajshëm në bulevard?

Si ka mundësi të pranohet në drejtim ky njeri, i cili  menjëherë pas vrasjes së katër personave të pafajshëm gënjeu botërisht, duke klithur si i marrë se ata i kishte vrarë kundërshtari i tij; dhe pastaj tha se, “unë edhe më shumë do të vrisja”?

Si ka mundësi që të vijojë e të pranohet ende në Shqipëri një dëmprurës kaq i përbindshëm, i cili, me kërkesë nga padronët e tij, si president i plotfuqishëm (1992 – 1997) ka shkatërruar në Shqipëri 500 fabrika e uzina?

A keni dëgjuar ndonjë kryeministër në botë – përveç Hitlerit – që si Saliu  të deklarojë botërisht se “do të vrasja me dorën time shefin e opozitës”?

Si ka mundësi që vijon e sokëllin mitingjeve antishqiptari më i madh që ka kaluar nëpër pushtetet politike në Shqipëri?

Këto janë pyetjet…

Kurse të fantaksurit e brohorasin…

E kuptoni se në çfarë fenomeni amoral po jetohet jeta shoqërore në Shqipëri; sepse shqiptarët nuk kanë pasur forcë të dënojnë një vrasës?

ll.

Ja, shihni se në ç’gjendje të plotë amorale është konflikti i Sali Berishës me Lulzim Bashën.

Saliu tani, i gjithi i rënë në qerthullin e  gënjeshtrës së tij, flet e stërflet për Lulzim Bashën. Dhe të fantaksurit e tij e brohorasin. (!)

Po këta të fantaksur që bërtasin në jerm siç janë, a e dinë që Lulzim Bashën e ka mbajtur Saliu si kryetar të Partisë Demokratike?

Si nuk po duan ta mendojnë këtë të vërtetë?

Në fakt, duhet ta theksokmë se kjo është tani një histori e vjetër e tyre: ata i  adhurojnë gënjeshtrat primitive të Saliut; çjerrjen e zërit të një njeriu anormal, dhe frazat e tij në mohim të plotë të së vërtetës dhe të interesit kombëtar.

Sepse, këta të fantaksur e dinë gjithashtu që, pasi Basha humbi dy zgjedhje radhazi; Saliu nuk tha asnjë fjalë kundër tij. Pse? Sepse e kishte vënë Bashën me dorën e tij për ta pasur si kukull. Kuptohet se sërish, për të fantaksurit rrotull Saliut, që në fakt, nuk janë më shumë se 1000 persona, ishte po ajo arsye pranimi – ky është kukulla e Saliut.

Si ka mundësi?

Por, më saktë, këtë konkluzion e mban brenda vetes kjo pyetje:

Po, ky Saliu, që i paska ditur të gjitha këto yneret e Bashës dhe po i denoncon tani; atëherë, kur qe me të bashkësisht dhe fort i bashkuar, pse e ka përkrahur Bashën?

Dhe pyetja vijon:

Po përkrahësit fanatikë të Saliut, nuk e bëjnë dot këtë pyetje?

Ata nuk e bëjnë dot, sepse dinë një të vërtetë të cilën nuk e pranojnë edhe ata njëlloj si vetë Saliu: Basha e përjashtoi Saliun nga Partia Demokratike menjëherë pas ndëshkimit absolut që i bënë këtij për korrupsion Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Domethënë për fanatikët e Saliut, Basha nuk është më kukulla e Saliut.

Kjo i ka futur të gjithë  bashkë në një thes: edhe Saliun, edhe përkrahësit e tij të fantaksur. Po, vërtet mendojnë këta se do ta shpëtojnë Saliun? Nuk e kuptojnë dot që sot ai  është i akuzuari i Amerikës?

lll.

Ja kjo, fakti që është i akuzuar nga SHBA,  ia shton edhe më çthurjen mendore Saliut. Një gjendje e tillë e cila ka disa muaj që po e sorollat atë në jem nëpër Shqipëri, duke folur a thua se ka vendosur një pllakë gramafoni në grykë.

E shihni që Saliu çdo ditë po flet me  të njëjtat fjalë boshe e gënjeshtrash prej fëmije, dhe, në jem siç është, nuk don ta kuptojë që vetë ai është duke folur mbi kalin e të mundurit?

Nuk don ta kuptoje këtë, dhe del te fanatikët e tij,  sepse nën pushtetin e frikës, kërkon t’ia fshehë vetes faktin që tani ai është një njeri pa vlerë në Shqipëri; pa asnjë forcë popullore. Kjo sepse, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Sali Berisha po gjendet nën akuzën e korrupsionit dhe të krimeve të tjera më të rënda.

Në fakt kjo është e vërteta absolute e kësaj kohe.

Por Saliu mendoi se akuzës amerikane do t’i shpëtonte me forcën e shqiptareve të bashkuar rreth tij. Nërsa shqiptarët po e përbuzin dhe po e lënë të xhirojë në jem, me sorollatjen e tij qesharakë në komedinë ditore që po e luan ai vetë.

IV.

Nuk është qesharake vetëm sorollatja e përditshmes me falsitet ideor e Saliut, por qesharake është edhe përkrahja e fanatikëve të tij: mos vallë këta fanatikë e dinë që ai është kryetari i fesë së tyre?

Në fakt, kudo, kjo është psikologjia e fetarëve për kryetarin e fesë së tyre, por ajo që ne duhet të dimë në rastin aktual Sali, është kjo:

Pse ndodh kjo rëndom në Shqipëri, sepse nuk është Saliu i pari që po e bën dhe nuk është ky i pari që shihet nga shqiptarët si kryetar i fesë së tyre, edhe pse në fakt ka qenë apo është vetëm kryetar i shtetit të tyre?

Saliu vërtet që nuk është i pari, por në këtë nivel të ligësisë, atë nuk e arrin dot asnjë tjetër nga e gjithë historia e Shqipërisë. Por kjo nuk mjafton.

Po, mirë mo mirë: po shqiptarët që e përkrahin ligësinë e pështirë të Saliut; çfarë janë?

Kjo pyetje ka vetëm këtë përgjigje:

Ata janë  njëlloj si Saliu dhe nuk e pranojnë ndershmërinë dhe moralin e shëndoshë shoqëror; ose, pastaj, janë nga ata që s’janë në gjendje të kuptojnë se pasioni që i mban me Saliun, po i poshtëron.

Dhe ne nuk mendojmë se ka edhe ndonjë arsye tjetër.

Por, a nuk mund të quhet ky një defekt  moral i një pjese të shoqërisë shqiptare?

Kjo do studim.

Por; a ka shans Saliu ta vijojë ligësinë e tij antishqiptare?

Jo. Saliu ka falimentuar, sepse është kundërshtar i politikës amerikane. Nuk ka më asnjë mundësi që ky të dalë përsëri në një stad drejtues në Shqipëri.

Atëherë?

Sali Berisha do të sulmohet nga politika amerikane me fakte; deri në eliminimin e tij me dënim penal gjyqësor për krime. Kjo, do të jetë rrjedha e kësaj kohe të afërt që do të sjellë gëzim të madh në Shqipëri.

Keni për ta parë.

 


Shtuar 20.02.2022 15:01