Gjykata lë në burg efektivin e RENEA-s që u kap me 113 mijë euro në makinë, zbardhet dëshmia e tij

Gjykata ka vendosur “arrest me burg” për Altin Morinë, me detyrë shef i Stërvitjes Ushtarake në repartin e RENEA-s, i cili u arrestua disa ditë më parë teksa po lëvizte me një automjet tip Audi në zonën e Kodrës së Diellit me 113 mijë euro brenda saj.

Në seancë, Morina është shprehur se paratë i ka marrë nga një biznesmen 30 minuta para arrestimit dhe se nuk vijnë nga një aktivitet kriminal.

“Nuk ka prova, këto para i kam marrë nga një biznesmen 30 minuta para arrestit. Nuk vijnë nga produkt kriminal, është gati të bashkëpunojë me organin e akuzës për ti dhënë prova që kanë të bëjnë me arsye personale dhe familjare. Nuk ka patur person tjetër në shoqërinë time në momentin e arrestimit. Po shkoja në shtëpi, te Komuna e Parisit, dhe isha drejtuar në “Ish-Bllok” ku banoj”, ka thënë  ai.

Pavarësisht këtyre pretendimeve të Morinës, ka dyshime se burimi i këtyre të ardhurave nuk është i ligjshëm dhe punonjësi i RENEA-s ka shpërdoruar detyrën, duke u vënë në shërbim të këtij aktiviteti./albeu.com