Sterilizimi në SPAK, Rama inspektim te “Shefqet Ndroqi”: Standard i ri rigurie, abuzuesit të përballen me drejtësinë

Kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ditën e sotme kryen një inspektim në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, në centralin e sterilizimit të instrumentave kirurgjikalë. Kryeministri Rama, edhe pse 2 persona janë në burg lidhur me koncesionin e sterilizimit të instrumenteve mjekësore, i tha mjekëve se nuk kanë arsye që të shqetësohen.

Kreu i qeverisë, tha se koncesioni i sterilizimit ka garantuar standard të ri sigurie për ndërhyrjet kirurgjikale. Ai shtoi se hetimi i SPAK për abuzime të mundshme në procesin e PPP-së, nuk cenon suksesin e kësaj nisme, dhe tha se hetimi siguron që askush të mos mbetet i pandëshkuar nëse ia bën me hile shtetit dhe popullit

Rama: Është bërë një konfuzion i madh për shkak të hetimit të procedurës dhe të kompanisë përkatëse midis përfitimit të madh që ka pasur sistemi dhe çfarëdo qoftë që individë të caktuar mund të kenë bërë pas shpine. Kur u lajmëruan masat e sigurisë për grupin që ka bërë procesin, kam marrë disa mesazhe, nga mjekë se ishin të gjithë të shqetësuar se mos sekuestrohet dhe bllokohet kjo gjë. Kjo nuk është pjesë fare e kësaj gjëje dhe s’ka shanse. Qëllimi jonë i përbashkët dhe arsyeja pse e kemi bërë këtë është që t’ju japim ju në dorë instrumentet të klasit më të lartë dhe janë të klasit më të lartë. Kush ec me idenë kapim ça të kapim, shkon në tjetër drejtim, aty ku janë. Ne nuk jemi në atë drejtim.

Në një nga 17 centralet e reja të krijuara falë PPP-së së sterilizimit, që kanë garantuar një standard krejt të ri sigurie për ndërhyrjet operatore, duke e kthyer njëherë e mirë faqen e turpit e të pasigurisë në sallat e operacioneve, duke ulur në minimum fenomenin e vjetër të infeksioneve post-operatore si pasojë e mungesës së sterilizimit të vërtetë, si edhe duke i kursyer shtetit dhjetëra miliona euro nga ulja e ditëve të qëndrimit në spitale pas operacioneve.

Hetimi i SPAK-ut për abuzime të mundshme në procesin e ndërtimit të këtij Partneriteti Publik Privat, nuk e cenon aspak suksesin e prekshëm të kësaj nisme madhore të qeverisë shqiptare për Rilindjen e Shëndetësisë, por siguron që askush të mos mbetet i pandëshkuar nëse ia bën me hile shtetit dhe popullit shqiptar, duke nxjerrë përfitime vetjake të paligjshme gjatë kryerjes së detyrës në punën për qëllimin e përbashkët.

Instrumentet para sterilizimit, shkëputur nga Video Live e kryeministrit Rama
Instrumentet para sterilizimit, shkëputur nga Video Live e kryeministrit Rama
Instrumentet para sterilizimit, shkëputur nga Video Live e kryeministrit Rama

Kujtojmë se lidhur me koncesionin e sterilizimit janë arrestuar biznesmeni Ilir Rrapaj dhe  ish-zëvendësministri Shëndetësisë Klodian Rjepaj, më 17 gusht, pas kërkesës së SPAK.

Nën akuzën e prokurorëve të Strukturës së Posaҫme Anti-Korrupsion (SPAK) u arrestua ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, për shpërdorim detyre, falsifikim dhe mashtrim në koncesionin e sterilizimit të instrumenteve kirurgjikalë në spitalet publike të Shqipërisë

Po ashtu u arrestua edhe Ilir Rrapaj, pronar i kompanisë “Sani Service” që fitoi tenderin për koncesionin e sterilizimit.

Ky koncesion i formës Partneritet Publik-Privat (PPP) u dha në vitin 2015 nga Ministria e Shëndetësisë, dy vjet pas marrjes së mandatit të parë qeverisës nga kryeministri Rama.

Kompania koncesionare ”Sani Service” ka marrë përsipër të kryejë sterilizimin e instrumenteve kirurgjikalë.

Burime zyrtare njoftojnë se një qendër moderne sterilizimi brenda Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, e financuar nga qeveria, nuk ka funksionuar asnjëherë në këto 8 vite që nga fillimi i aktivitetit të kompanisë koncesionare e deri tani.

SPAK-u ka nxjerrë edhe 8 urdhëra të tjera arresti për zyrtarë të atëhershëm të lartë në Ministrinë e Shëndetësisë si edhe për anëtarë të komisionit të atëhershëm për miratimin e tenderave në ministrinë në fjalë.

Në njoftimin zyrtar të publikuar të enjten nga SPAK vihet në dukje që arrestimet “janë ekzekutuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit”.

/Albeu.com.


Shtuar 29.08.2023 12:19