RAPORTI/ Britanisë i duhen 1 milion emigrantë në vit për të plotësuar vendet e punës

Britania duhet të përgatitet për një epokë të re të emigracionit të shkaktuar nga nevoja e brendshme e vendit dhe ndryshimet në ekonominë dhe politikën globale, sipas një raporti të publikuar ditën e sotme, shkruan The Times.

Shkalla e imigrimit pas pandemisë prej 1.1 milionë personave në vit mund të jetë fillimi i një tendence drejt niveleve të larta të migrimit në dekadat e ardhshme, sipas Fondacionit të Tregut Social.

Plakja e popullsisë së Britanisë dhe mungesa e aftësive do të thotë se vendi ka një kërkesë të vazhdueshme për punëtorë migrantë. Britania duhet të pranojë më shumë se një milion emigrantë çdo vit për të përmbushur kërkesën për fuqi punëtore.

Një nga autorët e studimit, Jonathan Thomas, vuri në dukje nevojën e Mbretërisë së Bashkuar për t’u fokusuar në strategjinë e imigracionit. Kjo përfshin, në veçanti, zhvillimin e partneriteteve me vendet e origjinës së migrantëve.

Në të njëjtën kohë, ekspertët u kanë bërë thirrje autoriteteve britanike që të nënshkruajnë marrëveshje konstruktive me Francën për të reduktuar numrin e emigrantëve të paligjshëm që hyjnë në vend përmes Kanalit Anglez.

Këtë vit u shënua një rekord kalimesh të paligjshme në Kanal. Sipas vlerësimeve të fundit të gazetarëve britanikë, deri më tani në këtë mënyrë kanë kaluar pothuajse 45,000 njerëz (në vitin 2021, ky numër ishte 28,500 persona, në 2020 – 8,400).

Në mesin e emigrantëve të paligjshëm, shumica janë shtetas të Afganistanit, Iranit, Irakut dhe Shqipërisë.

Që kur Britania u largua nga BE-ja, Mbretëria e Bashkuar ka zbatuar një politikë relativisht liberale të imigracionit, duke u dhënë të drejta të qëndrimit të përhershëm mbi 5 milionë shtetasve të BE-së dhe mbi 5 milionë banorëve të Hong Kongut.