Shtohet masa e arrestit për Arbër Çekaj, tentoi të arratisej nga burgu, Çepelja preu damarët për të hutuar policët

Gjykata e Tiranës i ka dhënë një tjetër dënim Arbër Çekajt, i cili u dënua më parë me 14 vite burg nga Gjykata e Posaçme për trafikimin e 613 kg kokaine. Gazetarja Klodiana Lala ka bërë me dije se Gjykata e Tiranës e ka shpallur fajtor për tentativën e arratisjes nga burgu 313 në kryeqytet, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit të kaluar. Atij i është shtuar edhe një vit dënim për këtë tentativë arratisjeje.

Në të njëjtën dosje, gjykata ka dënuar përfundimisht me 2 vjet burg Lulëzim Çepelen, i cili preu damarët për të shpërqëndruar punonjësit e sigurisë në mënyrë që Çekaj të arratisej. Çepele u fajësua për “dhënie ndihme një të burgosuri për largim”.

Çekaj i dënuar me 14 vite burg dhe Fatmir Pjetri i dënuar me 30 vite burg (anëtar i grupit të babagjyshëve) tentuan të arratiseshin një vit më parë nga burgu i sigurisë së lartë ‘313’. Çepele preu damarët për çorientim, por një punonjës i sigurisë së burgut pikasi Pjetrin e Çekajn vetëm pak metra larg portës, pikërisht në oborrin mes zyrave të administratës dhe qelive. Ata kishin një çantë me litar me vete që do t’i ndodhmonte të zbrisnin nga muret e larta., por arratia ‘dështoi’ dhe dyshja u rikthyen në qeli.