Rama nga Cërriku: S’dua të flas për kundërshtarë, nuk e di fare kush janë

Pas Belshit, kryeministri EdiRama bëri një ndalesë në Cërrik. Rama u takua me mbështetësit e PS në Cërrik, ndërsa prezantoi gjithashtu kandidatin për kryetar bashkie, Andi Sallën.

Gjtaë fjalës së tij Rama foli për punët e mira që janë bërë në Cërrik, ndërsa u shpreh i lumtur që nuk po flitet më për ujin e pijshëm.

Sigurisht nuk munguan as ironitë ndaj opozitës.

Rama tha se s’do të flas për kundërshtarë, pasi nuk e di fare kush është kundërshtar . Sakaq sipas tij të gjithë kanë një karakteristikë, “vijnë nga e shkuara!”

Edi Rama: Më vjen shumë mirë po ashtu që në këtë fushatë, në të gjitha ndalesat, është hera e parë që nuk flasim pothuajse fare për ujin e pijshëm, jo se ka mbaruar gjithë projekti i madh i ujit të pijshëm në të gjithë Shqipërinë, por sepse sot falë kryetarëve të bashkisë së Partisë Socialiste dhe falë mbështetjes së palëkundur të qeverisë, kemi arritur ta përshpejtojmë punën dhe të kemi ujë të pijshëm në bashkitë e vendit më shumë se ç’ka pasur në të gjitha dekadat e kaluara, përfshirë dhe ato dekadat më përpara.
Këtu puna me ujin e pijshëm është vonuar. Është vonuar për shkak të atyre që ishin përpara dhe që duan të vijnë prapë dhe në 4 vite Andi ka bërë, realisht, punë për t’u admiruar, me shumë këmbëngulje, duke mbledhur të gjitha forcat, duke bashkuar të gjitha financimet, duke shkuar në çdo stacion pompimi duke bërë të mundur që më në fund Cërriku të shohë përpara dhe në këtë aspekt.
Nuk dua t’ju flas për Andin sepse për Andin flet puna. Nuk ka ndryshuar Cërriku në të gjithë historinë e vetë sa ç’ka ndryshuar në këto 4 vite dhe mbi të gjitha nuk janë ndryshimet e bëra, por është shpresa tek një e ardhme më e mirë dhe është vizioni dhe është plani për ta realizuar atë vizion dhe për t’i dhënë Cërrikut një tjetër dimension, një dimension ekonomik dhe social që më në fund do ta nxjerrë nga fundi i karvanit të problemeve sociale dhe të problemeve të varfërisë.
S’dua të flas për kundërshtarë, nuk e di fare kush është kundërshtar këtu, por të gjithë kanë një karakteristikë, vijnë nga e shkuara!/albeu.com/


Shtuar 1.05.2023 13:49