Çfarë pritet të ndodhë pas referendumeve? Lëvizjet e radhës të Rusisë dhe qëndrimi i Perëndimit

Kanë përfunduar referendumet në katër rajone të Ukrainës, duke i hapur rrugën aneksimit të territoreve. Kremlini ka deklaruar se do të përfundojë aneksimin brenda javës, pasi kërkon të frenojë kundërsulmin e suksesshëm ukrainas.

Por me Kievin, i cili gëzon mbështetjen e Perëndimit, i vendosur për t’u kundërpërgjigjur, si mund të ndodhë e gjithë kjo?

Çfarë po ndodh në Ukrainë?

Rusia ka përfunduar referendumet e rremë në Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhia, duke u kërkuar qytetarëve të votojnë për t’u bashkuar me Federatën Ruse.

Ukrainasit kanë deklaruar se kanë qenë të detyruar të votonin nën kërcënimin e armëve.

Siç pritej, Moska mori rezultatet që donte. Tani qeveria ruse tani është gati të aneksojë territoret në fjalë, të cilat madje përfshijnë zona që aktualisht nuk janë nën kontrollin rus.

Cili është qëllimi i Putinit?

Në javët e fundit, Rusia ka humbur shumë territore në fushën e betejës. Ushtria ukrainase, duke zbatuar një kundërsulm rrufe, kapi rusët në befasi dhe rimori të paktën 3000 km katrorë në rajonin e Kharkiv dhe Donetsk dhe 500 km katrorë në Kherson.

Trupat ruse janë dëbuar nga pjesa më e madhe e rajonit të Kharkiv dhe kanë filluar të humbasin territorin në Donetsk dhe Luhansk që i kishin kontrolluar para 24 shkurtit. Moska u poshtërua, raporton abcnews.al.

Analistët thonë se Rusia po shkon drejt aneksimit të territoreve për të penguar kështu tërheqjen e saj ushtarake. Duke i shpallur këto territore pjesë të Rusisë, Moska po kërcënon se do të marrë veprime dërrmuese, duke përfshirë një sulm të mundshëm bërthamor, në një luftë mbrojtëse, nëse Ukraina nuk heq dorë nga përpjekjet e saj për të çliruar territoret e saj.

Cili është afati kohor për aneksimin?

Shumë prisnin që Putini t’i drejtohej Këshillit Federal të premten, më 30 shtator, me një vendim për aneksimin zyrtar të territoreve. Sipas ligjit, këto traktate fillimisht duhet t’i paraqiten Këshillit të Federatës, organit të lartë të parlamentit rus, dhe më pas Putinit për nënshkrim.

Kjo mund të organizohet në një kohë të shkurtër. Por Këshilli i Federatës ka thënë se nuk do të organizojë një mbledhje të premten. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë takimi i radhës i planifikuar do të zhvillohet më 4 tetor, që është të premten e ardhshme.

Por me pak besim te presidenti rus jashtë vendit, një marrëveshje duket e pamundur dhe aneksimi duket si rezultati më i mundshëm.

Çfarë pritet të ndodhë pas referendumeve?

Kjo është pyetja kryesore. Putin dhe zyrtarë të tjerë të lartë kanë lënë të kuptohet se ata do të fillojnë t’i cilësojnë sulmet në territoret e aneksuara si sulme ndaj territorit sovran rus.

Moska e ka akuzuar tashmë Ukrainën për sulme në territorin rus gjatë luftës. Sa i përket operacioneve ushtarake, Rusia mund të fillojë të shënjestrojë zonat e banuara dhe ndërtesat qeveritare me raketat e saj, sulme të ngjashme me goditjet në infrastrukturën energjetike të Ukrainës pranë Kharkiv në fillim të këtij muaji.

Moska gjithashtu mund të nisë stërvitje apo edhe sulme bërthamore për të frikësuar Perëndimin. Ajo gjithashtu do të vendosë trupa në front për të ruajtur linjat dhe për të parandaluar Rusinë që të humbasë më shumë territore nga kundërofensiva ukrainase.

Në vend, Rusia mund të mbyllë kufijtë ose të vendosë ligjin ushtarak në zona të caktuara.

Ndër të tjera, ligji ushtarak parashikon konfiskimin e pasurive, shtetrrethimin, arrestimin e kritikëve të qeverisë, kampet e përqendrimit për shtetasit e huaj dhe masa të tjera të rënda, raporton abcnews.al.

Cila është përgjigja e Perëndimit?

Ukraina ka deklaruar se nuk do të pranojë shantazhin e Rusisë për përdorimin e amëve bërthamore dhe se synon të çlirojë të gjitha territoret e pushtuara nga Rusia.

Zyrtarët perëndimorë kanë rënë dakord, duke vënë në dukje se kanë lëshuar paralajmërime shumë të forta për Kremlinin që të mos e përshkallëzojë këtë konflikt me përdorimin e armëve të fuqishme, përfshirë armët bërthamore.

Kur Putin kërcënoi se do të përdorte armët bërthamore, tha se nuk po luante blofin. Mund të jetë një blof, por presidenti rus do të përballet me një presion të madh për të mbajtur në kontroll territoret që tashmë ka pushtuar.

Cili është qëllimi përfundimtar?

Në terma afatgjatë, Putin duket se ka një qëllim: kontrollin politik të Ukrainës.

Edhe pse para luftës ai theksoi se kërkonte garanci sigurie për moszgjerimin e NATO-s, është e qartë se ai kërkon ndryshimin e regjimit në Kiev dhe kontrollin mbi të ardhmen politike të vendit.

Aneksimi i territoreve ndoshta nuk do ta kënaqë egon e tij. Shumica presin që ai do të fillojë ofensivën sapo trupat rusë të jenë gati./abcnews.al