“Kënga Magjike 2012”, ja këngëtarët që marrin pjesë
Pëlqej
“Kënga Magjike” do të nisë në fund të kësaj jave, si fillim duke prezantuar këngët tek “E diela shqiptare”, ashtu siç është bërë traditë vitet e fundit. Ky është një festival që tërheq gjithnjë vëmendjen e medias, e jo në pak raste shkakton edhe polemika mes këngëtarëve për çmimin e madh, duke qenë se janë artistët ata që votojnë njëri-tjetrin dhe zgjedhin fituesin, shkruan Mapo.

Edhe këtë vit thashethemet nën zë kanë nisur, por ende kanë mbetur zëra që qarkullojnë nëpër tavolina, pa mundur të dalin dot nga guaska e zilisë apo thjesht frikës së një produksioni më të mirë. Këngëtarët e rinj duket se janë ata që më shumë u druhen emrave të mëdhenj të skenës, pasi i frikësohen jo vetëm emrit, por shpesh edhe prapaskenave që mund të krijohen, megjithëse në fund të gjithë duken të kënaqur me atë që arrijnë.

Megjithatë, sa kohë që ende nuk kemi një prononcim zyrtar, nuk mund të hamendësojmë apo të krijojmë një tymjanë rreth një artisti bazuar vetëm te dyshimet e disa artistëve. Thashetheme të tilla në jo pak raste kanë arritur që t’i prishin punë një artisti të caktuar. Urojmë që këtë vit kjo mos ndodhë edhe pse nga njëra anë duhet besuar shprehja e popullit se “ku ka zë, nuk është pa gjë”. Gjithsesi kurioziteti i të gjithëve është se cilët do të jenë ata artistë të cilët do të marrin pjesë në këtë festival.

Së pari, një vend i veçantë u është rezervuar pjesëmarrësve dhe finalistëve të “X-Factor”, siç janë Sheila Haxhiraj, Xhesika Polo, Festina Mejzini, Kristo Thano etj. Ndërsa nga artistët e tjerë të njohur tashmë mësohet se do të jenë konkurrentë Teuta Kurti, Noizy, Devis Xherahu, Ingrit Gjoni, Big Basta, Enca Haxhia, Rezarta Shkurta etj.

Ndërkohë një nga kompozitorët e rinj, i cili pritet të ketë mjaft këngë këtë vit, është edhe Elgit Doda, djali i ri dhe mjaft i talentuar, i cili duket se po bëhet bashkëpunëtori i preferuar i shumë artistëve. Ndërkohë surprizë mbeten emrat big, si Jonida Maliqi, Pirro Çako, Eranda Libohova, nga të cilët nuk e dimë ende nëse do të jenë pjesë e “Kënga Magjike” apo jo.
Shtuar më 15/09/2012, ora 10:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori