U arrestua pak ditë më parë duke marrë rreze dielli në jug, nesër del para gjykatës së Elbasanit “Bossi” turk i kriptove

Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për “Bossin” e kriptomonedhave Faruk Fatih Özer i cili ishte shpallur në kërkim që prej një viti nga Turqia, ndërsa prej asaj kohe dyshohet se fshihej nëpër Shqipëri. Seanca për dhënien e masës së sigurisë, pritet të mbahet në Gjykatën e Elbasanit ditën e nesërme në orën 09:30.

Nga informacioni rezulton se Faruk Fatih Özer në vitin 2017 ka krijuar një platformë online të quajtur “Thodex” me funksion shkëmbimin e kripto-monedhës. Pasi ka akumuluar afërsisht 2 miliard USD pasuri në asete dixhitale, ky i arrestuar ka mbyllur platformën dhe mediat sociale dhe është larguar nga territori turk më datë 20.04.2021.

Për këto arsye Faruk Fatih Özer është shpallur në kërkim ndërkombëtar me kartelë të kuqe për llogari të Zyrës Qëndrore të Interpol Ankara.

Autoritetet turke të cilat kanë lëshuar Urdhërin Ndërkombëtar të Arrestit ndaj këtij shtetasi, kanë bërë të ditur se pas arrestimit të tij, menjëherë do të nisin procedurat për ekstradim në rrugë diplomatike dhe gjyqësore.