Mbretëria e Bashkuar po diskuton furnizimin e Ukrainës me tanke, rëndësia e këtij vendimi

Mbretëria e Bashkuar po konsideron furnizimin e Ukrainës me tanke britanike, për herë të parë, për të luftuar forcat pushtuese ruse, raporton Sky News.

Diskutimet po zhvillohen “prej disa javësh” për dërgimin e një numri të tankeve kryesore të betejës Challenger 2 të Ushtrisë Britanike tek forcat e armatosura ukrainase, tha një burim perëndimor per median britanike.

Një veprim i tillë do të shënonte një hap të rëndësishëm në mbështetjen perëndimore për Ukrainën dhe mund të ndihmonte që aleatët e tjerë të NATO-s, veçanërisht Gjermania, të ndiqnin shembullin.

“Kjo do të inkurajonte të tjerët të japin tanke,” tha një burim ukrainas.

Asnjë vendim përfundimtar nuk është marrë ende nga qeveria e Rishi Sunak, por nëse Britania e Madhe do të nënshkruante një dërgesë të tillë, do të bëhej vendi i parë që do t’i përgjigjej lutjeve të liderëve ukrainas për të pajisur ushtrinë e tyre me tanke të fuqishme perëndimore.

Një grupim i udhëhequr nga SHBA prej rreth 50 kombesh, përfshirë Britaninë e Madhe, që po jep mbështetje ushtarake për Ukrainën do të mbajë takimin e tij të ardhshëm më 20 janar. Çdo njoftim për ndihmë të re, siç janë tanket, mund të bëhet që të përkojë me mbledhjen e Grupit të Kontaktit.

Një burim po për SkynNews tregoi se Britania mund të ofrojë rreth 10 tanke Challenger 2./albeu.com


Shtuar 9.01.2023 16:17