Jonida Vokshi rrëfehet para lindjes: Unë dhe Besniku vdesim për fëmijët (FOTO LAJM)

Aktorja dhe prezantuesja Jonida Vokshi do të bëhet nënë për herë të parë nga martesa me aktorin nga Prishtina, Besnik Krapi.

Në një intervistë kopertine për revistën “Who”, pyetjes se cilat janë përjetimet e këtyre ditëve, i është përgjigjur: “E tërë shtatzënia qe një proces shumë i bukur për mua, pikërisht për shkak të përjetimeve të paprovuara më përpara, një proces që të zbulon pak nga pak detaje e momente, që edhe pse të dëgjuara më parë, shumë larg kur e provoke. Këto ditët e fundit qenkan një “mezi pritje” shumë e padurueshme për ta parë, për ta mbajtur në duar, e miksuar me frikën e të shkuarit gjithçka mirë”.

Një shtatzëni e dëshiruar apo rastësi kjo e jotja, e pyeti më tej Eraldo Rexho dhe ajo u përgjigj: “Një shtatzëni mes së dëshiruarës dhe rastësisë. Unë dhe Besniku e kishim menduar që shpejt të vinte dhe momenti për t’u bërë prindër se të dy vdesim për fëmijë, por erdhi edhe më shpejt nga ç’e prisnim (qesh), nuk priti planet tona. Besniku ishte në një ndeshje futbolli në stadium në Prishtinë, kur i dhashë lajmin. Unë në Tiranë. I shkrova: ‘Kujdes zemër, mos pi shumë birra e sillu mirë tani, se ke me u bo baba’ dhe pastaj kam lexuar sms nga Besniku të tipit: ‘A e ke seriozisht’? Nëse është humor, dije që është shumë pa lidhje e i rëndë. Jonida, e ke me të vërtetë?’, e gjëra të kësaj natyre. Sa doli jashtë stadiumit, më mori në telefon. Kur e konfirmoi që nuk ishte shaka, e la lojën përgjysmë, nuk hyri më brenda e ka fluturuar në gjithë Prishtinën prej gëzimit” (qesh).

Bashkë me një set fotosh artistike nga Artan Korenica të pritjes së ëmbël, Jonida ka folur shumë për bashkëshortin e saj, Besnikun.

A është Besniku ai babai tipik shqiptar që donte një djalë si fëmijë të parë?

“Jo, vetëm që nuk është, por dëshironte aq shumë të ishte vajzë, sa vetëm për emër goce kishim menduar dhe kur na u konfirmua gjinia ishte lumturia e dytë për të, pas lajmit të parë që do të bëhej baba. Të dy donim shumë të ishte vajzë”, tha ajo.

Ndërsa për marrëdhënien me vjehrrën ajo tha: “Nuk e di pse, por gjithmonë këto klishtë ‘nuse-vjehrrë’ më janë dukur larg realitetit që jetojmë ditët e sotme. Sot, fare mirë mund të ndërtosh një marrëdhënie më shumë sesa të mirë me vjehrrën. Në rastin tim, me mamin e Besnikut kam pasur kimi që ditën e parë që jemi njohur. Përveç marrëdhënies së mirë që kemi dhe kujdesit të madh që ajo ka për mua, ka qenë një ndihmesë shumë e madhe për mua edhe gjatë izolimit, ku unë isha larg prindërve të mi dhe si mami, si babi i Besnikut ma bënë shumë të lehtë, duke i pasur afër për çdo gjë”.

Pyetjes se si i përjetoi ndryshimet e trupit, Jonida iu përgjigj: “Falë Zotit, me këtë pjesë të shtatzënisë pata fat shumë të madh, pasi e vetmja gjë që ndryshoi në trupin tim ishte barku dhe atë pjesë e kam shijuar pafund, madje ditë pas dite e shihja se doja që të rritej shpejt. Me përmasat e kile në vende të tjera nuk pata asnjë ndryshim, çka më ndihmoi të ndihesha dhe e lehtë e të mos kisha probleme rëndese. Kjo më ka bërë ta shijoj akoma dhe më shumë këtë periudhë, se kisha dëshirë të vishesha bukur, të bëja foto, jam ndjerë gjithë kohën shumë mirë fizikisht”.

E ndërsa thonë se shtatzënia i ndryshon zonjat, çfarë ka ndryshuar tek ajo? “Mendoj që ndryshimi më i madh do të vijë pasi ta mbaj në duar. Besoj që prej atij momenti, edhe pse ende nuk e di çfarë do përjetoj, vetëm e kam imagjinuar deri tani, por besoj që do të ndryshojë shumë gjëra në jetën time, siç ka bërë me jetën e kujtdo që është bërë mami”, është shprehur ndër të tjera Jonida Vokshi..
Shtuar më 06/06/2020, ora 22:04

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori