I vranë në derë të shtëpisë, si u ngritën kurth autorët babë dhe bir, çfarë ndodhi në Shkodër

Qarku i Shkodrës është tronditur mbasditen e së enjtes nga një ngjarje e rëndë kriminale, pasi dy persona, babë dhe bir janë ekzekutuar me armë zjarri në banesën e tyre.

Të enjten rreth orës 16:40, Gjokë dhe Eduart Gurra, babë dhe bir, janë vrarë në oborrin e shtëpisë së tyre në fshatin Sumë të njësisë administrative Pult.

Ngjarja

Babë dhe bir kishin shkuar ditën e sotme për të parë nga afër banesën e tyre në fshatin Sumë, e cila ishte djegur mbrëmjen e kaluar, pasi i ishte vënë zjarri qëllimisht nga persona ende të paidentifikuar.

Por sapo kanë mbërritur në shtëpinë e tyre, Gjokë dhe Eduart Gurra janë përballur me plumbat mbi trupat e tyre.

Dyshohet se autorët të jenë të njëjtët persona që i vunë zjarrin banesës së tyre një natë më parë. Mesa duket zjarrvënia e banesës ka qenë një kurth i ngritur për babë dhe bir, që në momentin që ata të shkonin për të parë dëmet të vriteshin.

Policia

Menjëherë pasi kanë marrë informacion për ngjarjen e rëndë, policia është nisur drejt vendngjarjes. Ndërkohë që po vijon hetimet për të mësuar se çfarë ka ndodhur në fshatin Sumë, si dhe për të bërë të mundur identifikimin dhe më pas kapjen e autorëve.

Njoftimi

Rreth orës 16:40, në fshatin Sumë, Njësia Administrative Pult, në rrethana ende të paqarta  janë vrarë  me armë zjarri shtetasit Gj. G., 57 vjeç dhe djali i tij, E. G., 31 vjeç, banues në lagjen “Partizani”, Shkodër.

Shërbimet e Policisë dhe Grupi hetimor janë nisur menjëherë  për në vendngjarje.

Me mbërritjen e shërbimeve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes do të japim përsëri njoftim më të detajuar.

/AlbEu.com/


Shtuar 29.06.2023 18:45