E “Premtja e Zezë”, besimtarët ortodoksë kujtojnë vuajtjet e Krishtit, ndjekin ritualet përpara Pashkëve

Besimtarët ortodoksë në qytetet të ndryshme të vendit kanë përkujtuar të Premten e Zezë, ditën që simbolizon vuajtjet e Jezu Krishtit dhe vdekjen e tij në kryq.

Është ky një rit fetar, që organizohet në mbrëmjen e të premtes së zezë dhe që synon të shprehë dhimbjen e besimtarëve  për kryqëzimin e Krishtit.

Kremtimet në Korçë

Udhëtimi i Epitafit në Korçë filloi me grumbullimin e besimtarëve në pesë  kishat përkatëse: në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, Kishën e Shën Ilias, Kishën e Mitropolisë, Kishën e Shën Sotirit, dhe Kishën e Shën Thanasit.

Mandej të gjithë besimtarët u mblodhën tek sheshi para Katedrales. Prej kësaj të fundit doli  Epitafi i Krishtit,  i pasuar nga Mitropoliti i Korçës, Voskopojës, Kolonjës dhe Pogradecit Hirësia e tij  Imzot Johan Pelushit dhe klerikëve të Dhioqezës së Korçës.

Nën tingujt e vajtimeve dhe këngëve fetare kushtuar këtij momenti, ata kanë ecur në zonën pedonale të qytetit dhe pastaj duke vazhduar në unazën e vogël të qytetit u rikthyen tek Katedralja “Ngjallja e Krishtit”.

Kremtimet në Vlorë

Edhe në Vlorë besimtarët ortodoksë, por edhe banorë të tjerë të qytetit kanë marrë pjesë në kryerjen e Udhës së Kryqit apo të lëvizjes së Epitafit të Krishtit. Është ky një rit fetar, që organizohet në mbrëmjen e të “Premtes së Zezë” dhe që synon të shprehë dhimbjen e besimtarëve për kryqëzimin e Krishtit. Udha e Kryqit apo epitafit nga kisha e Shën Theodhorit ka vijuar në qytet ndërsa është shoqëruar ky rit fetar nga dhjetra besimtarë dhe qytetarë të Vlorës.

Në Lushnjë besimtaret i janë bashkuar procesionit të kalimit nën Epitaf, organizuar nga kisha e Shën Gjergjit./Albeu.com/


Shtuar 14.04.2023 21:40