Dikur në skenë, sot këngëtarja shqiptare shet lule rrugëve (VIDEO)

E ftuar në “Abc e Pasdites”, ishte Virgjini Mile Ristani, dikur një këngëtare e shquar e Ansamblit të këngëve dhe valleve në Berat dhe më pas në Tiranë. Në moshën 72 vjeçare, Virgjinia humbi bashkëshortin, të ndjerin Thimio Ristani dikur akrobat i cirkut në vend. Kjo humbje e madhe e la Virgjininë të vetme si pasojë edhe e pamundësisë për të pasur fëmijë. Ajo shpreh se fati nuk e deshi që të ndërtonin një familje të madhe, por dashuria nuk mungoi deri ditën e fundit.

Virgjinia tregon se sot jeton nëpërmjet një pensioni minimal prej 1.800 lekësh dhe mungesa ekonomike e ka detyruar të shes lule në anë të rrugës. Sipas saj, fillimet me lulet qenë të sikletshme por ajo nuk ndaloi së tregëtuari trëndafilat që i rrit me përkujdesje në kopshtin modest mbrapa shtëpisë.

“Unë kam shumë trëndafila, edhe lule të tjera në shtëpi. Më thotë dikush, shiti ato trëndafilat. Jo se është turp I thashë. Bëra një tufë me trëndafila dhe i vura te parvazi afër shtëpisë. I vura atje. Ecja rrugës dhe thoja ‘pse e ula veten unë?’ më vjen një zonjë dhe më thotë ‘Ku i shet ato ti? Bjermi mua.’ Aty plasi cipa”, tha me humor 82 vjeçarja.


Shtuar 21.09.2021 11:52