DETAJET/ Kush është 51-vjeçari violinist në TV e njohur që “hoqi qafe” fqinjin e tij (FOTO LAJM)

Të tjera detaje kanë dalë nga ngjarja e rëndë në Tiranë, ku mbeti i vdekur 56-vjeçari.

Alban Meneri, është autori 51-vjecar i ngjarjes së rëndë në Tiranë, ku në një sherr për motive të dobëta ka goditur me grushte dhe sende të forta për vdekje fqinjin e tij, Nikolin Staka.

Mësuesi 56-vjeçar nga Laçi ka ndërruar jetë si pasojë e hemorragjisë në banesën e marrë me qera vetëm 1 muaj më parë dhe trupi i pajetë është gjetur nga pronari i shtëpisë.

Autori i krimit rezulton të jetë një violinist profesionist dhe pedagog pasi ka studiuar në Akademinë e Arteve. Meneri gjithashtu rezulton të jetë i punësuar në RTSH.

Sipas banorëve të lagjes ku ai jeton, 51-vjeçari ka pasur gjithmonë konflikte me ta për arsye të ndryshme.

Ai gjithashtu pretendonte pronësinë e një hapësire që përdorej për parkim nga ana e banorëve, arsye për të cilin kishte nisur edhe sherri me parukieren përballë pallatit, zënkë e cila solli reagimin e Stakës dhe më pas përplasjen fizike mes tij dhe Menerit.