Jo vetëm Mbappe, tre lojtarë të tjerë të PSG në dyshim për Atalantën

Kampionati francez ishte ndër të parët që u ndërpre përfundimisht në momentin që shpërtheu pandemia e koronavirusit. Një vendim që u kritikua shumë nga PSG dhe Lyon, skuadra që janë në garë në Champions League.

Mungesa e ndeshjeve ka efekt negativ në aspektin fizik, por edhe në dëmtimet e shumta muskulore. PSG po e provon diçka të tillë dhe në sfidën çerekfinale kundër Atalantës (12 gusht) do të zbresë në fushë pa Kylian Mbappe.

Por jo vetëm ylli i sulmit. Në rrezik të madh për duelin e rëndësishëm janë edhe tre lojtarë të tjerë. Në finalen e mbrëmjes së kaluar të Kupës së Ligës përballë Lyon, të cilën PSG e fitoi pas goditjeve të penalltive, u lënduan Mauro Icardi, Layvin Kurzawa dhe Thiago Silva.

Të tre u detyruan të braktisnin finalen përpara kohe. Ata do t’i nënshtrohen kontrolleve të detajuara mjekësore dhe Tuchel shpreson t’i ketë të gatshëm për duelin kundër ekipit italian.


Shtuar 1.08.2020 10:54