Intervista me Stiven Isaku, i riu i cili ka pasion Astronominë

Stiven Isaku i cili është i apasionuar pas Astronomisë, ka rreth disa vite që aktivizohet dhe interesohet për vëzhgimin e yjeve.

Yjet i shohim cdo ditë, por në Shqipëri mungon kultura që lidhet me shkencën e Astronomisë. Stiven do të na tregojë rreth marrëdhënies që ka me yjet dhe me astronominë në përgjithësi.

Ai është pjesë e organizatës AVA, e cila ka për qëllim të përhap kulturën e vëzhgimit të yjeve për herë të parë në Shqipëri.

Më poshtë mund të lexoni intervisten me Stiven Isakun:

Kush je dhe me cfarë merresh?

Quhem Stiven Isaku, me profesion jam jurist, por pasionet dhe hobit e mia shtrihen shumë përtej profesionit.

Pak para disa ditësh ju keni hapur një event në Facebook me titull “Full moon Gazing”, na përshkruaj pak se cfarë ndodhi në eventin e 19 Shkurtit.

Stiven : Me datë 19 Shkurt ne ftuam nëpërmjet Facebook, por dhe me forma të tjera cdo qytetar të Tiranës për t'i bërë të mundur vëzhgimin e Henes me teleskopin AVA. Aq më tepër që me atë datë Hëna ishte në formën e saj më perfekte, pra ishte e plotë. Me dhjetëra e qindra qytetar të interesuar dhe kurioz erdhën në këtë event maratone që zgjati rreth 6 orë për të parë Hënën. Ishte një atmosferë shumë pozitive dhe entuziaste, kjo për meritë të bukurisë së Hënës, por dhe të falenderimeve të qytetarëve të pranishem.

Cfarë është AVA, cili është qëllimi i saj ?

Stiven : AVA(Astronomy Voyagers of Albania) është organizata me karakter shkencor më e re në Shqipëri. Është një projekt afatgjatë, i cili do kohën e tij që të vihet plotësisht në jetë, por qëllimi kryesor mbetet përfaqësimi i astronomisë për Shqipërinë dhe përhapja e kulturës së "Stargazing" apo "vëzhgimit të yjeve" për herë të parë në vëndin tonë.

A lidhet ky aktivitet me vitin e lindjes së Galileo Galilei, edhe pse ky i fundit ka lindur me 15 shkurt, apo rastësi?

Stiven : Jo, nuk lidhet me Galileo Galilein. Data 19 shkurt qëlloi për faktin se në atë datë ishte Hëna e plotë dhe vetëm pak ditë para datës 19 ne nisëm punën me themelimin e AVA-s. Sidoqoftë, është një keqkuptim i madh fakti që shumica e njerëzve ja atribuojnë shpikjen e teleskopit italianit Galileo Galileit. Teleskopi i parë është shpikur në viin 1608 nga Hans Lippershey.

Cfarë të lidh ty Stiv me astronominë?

Stiven : Të mos jesh kurioz pr astronominë, në gjykimin tim është njësoj si të mos jesh kurioz për origjinën e familjes tënde. Hapësira është origjina jonë themelore ndaj më duket absurde mos pasja e një kurioziteti sado të vogël ndaj saj. Mua personalisht forca që më lidh më shumë astronominë është kurioziteti. Kurioziteti për të parë atë cfarë ende nuk mund ta prekim. Astronomia duket si një fushë disi abstrakte, e cila nuk na dhuron ndonjë gjë të madhe në periudhë afatshkurter. Kjo nuk është e vërtetë sepse zhvillimi i astronomisë lidhet ngushtësisht me zhvillimin e fushave të tjera si fizika,kimia,shkencat kompjuterike dhe matematika. Ndaj shumë shpikje që janë bërë për eksplorimin e hapësirës na kanë hyrë në punë për jetën e përditshme në Tokë.

Mendon se të rinjtë shqiptar kanë interes për aktivitete që lidhen me fushën e astronomisë?

Stiven : Kjo mbetet për tu parë ! Nga eventi jonë i parë jemi optimist. E realizuam në kohë rekord pasi njoftimi doli vetëm 48 orë përpara eventit dhe interesi ishte shumë i madh. Mendoj se shqiptarët janë një popull i zgjuar, mjafton thjesht t'i piqen kushtet për të bërë dicka.

Me cfare mjeti i shikoni yjet lart në qiell, dhe a është e lehtë të gjesh në Shqipëri pajisje të tilla dhe na thuaj koston e pajisjes?

Stiven: Mjeti që vëzhgohen yjet është teleskopi. Jo, në Shqiperi është thuajse e pamundur. Cilësia është shumë e dobët dhe cmimet e larta, ndaj mënyra e vetme është t'i blesh jashtë vendit. Cmimet variojnë nga lloji i teleskopit, por nëse kërkon dicka të pranueshme duhet të investosh të paktën 700€, pak a shumë sa një smartphone.

Në rast se unë nuk kam mundesi që të shoh yjet me një teleskop, a ekziston menyrë tjetër për t’i parë ?

Stiven: Po, egziston. Nëpërmjet drogës(Qesh). Jo, nuk ka asnjë mënyrë tjetër. Maksimumi vetëm Hënën mund ta shikosh me dylbi ushtarake, por pamja e teleskopit nuk ka të krahasuar.

Cilat janë objektivat e tua lidhur me këtë nismë, do të vazhdojë kjo nismë apo do ngelet me këtë aktivitet?

Stiven: Padyshim që do të vazhdojë. Ky ishte vetëm eventi i parë. Sic e thashë edhe më sipër objektivi afatgjatë është edukimi dhe përhapja sa më shumë të jetë e mundur e kësaj kulture, ndërsa tani për tani jemi të fokusuar në transmetimin e cdo eventi astronomik publikut të gjërë. Së shpejti do të nxjerrim në faqen tonë të Facebook-ut kalendarin e eventeve që na presin.

Për ta përmbyllur, na thuaj një kuriozitet që publiku nuk e di rreth astronomisë?

Stiven : Hm, mali më i lartë në sistemin tonë Diellor quhet "Olympus Mons" dhe është 24 km i lartë. Pra, 3 herë më i lartë se Everesti.

Albeu.com / Olsi Sherifi
Shtuar më 26/02/2019, ora 14:06

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori