Mega-operacioni në Elbasan, kush janë të dënuarit VIP që bashkëpunonin nga qelia me biznesmenë e zyrtarë

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me mega-operacionin e policisë në Elbasan ku u arrestuan, zyrtarë, biznesmenë dhe persona të dënuar.

Mes emrave të të arrestuarve rezultojnë dhe persona që janë të njohur për drejtësinë shqiptare, siç janë Gazmir Braka dhe Arben Grori.

Gazmir Braka njihet me nofkën “Gaxhai” në Vlorë dhe është kundërshtari i Zani Çaushit. “Gaxhai” ka dy dënime me burgim të përjetshëm, i pari i është dhënë për vrasjen e Ilir Pajës dhe Arbën Xhungës, dy shokëve të Lulzim Berishës në Durrës; ndërsa dënimi i dytë i është dhënë për vrasjen e Bashkim Dules, Sadik Kurti, Avdul Bajrami, Dhimitraq Mishka, Zini Haruni, Robert Myftari, dhe policit Viron Rrapaj. Ai është një emër shumë i njohur për drejtësinë, pasi vrasjet dhe përplasjet me grupin e Zani Çaushit kanë nisur që në vitin 1997.

Kurse Arben Grori është i dënuar edhe ky më burgim të përjetshëm për vrasje. Ai ndodhet në burg për dy vepra penale, për vrasjen e Naim Zyberit në Itali, pasi ky i fundit kishte rezultuar vrasësi i vëllait të tij, Artur Grori; ndërsa në Shqipëri është akuzuar dhe dënuar me 15 vite burg për trafik droge.