I ati i Winehouse bën gati padinë për dokumentarin
Pak ditë më parë, i ati i Amy Winehouse u shpreh hapur për mediat se nuk dëshironte që të shfaqej dokumentari për jetën e së bijës, por tashmë duket se gjërat po shkojnë në anën ligjore. I ati i këngëtares së ndjerë ka bërë gati padinë, teksa është shprehur i indinjuar në lidhje me faktet e paraqitura në këtë dokumentar.

Babai i Amy Winehouse ka kërcënuar se do të bëjë një denoncim, pasi ka parë dokumentarin në nder të së bijës, i cili do të debutojë në festivalin e filmit në Kanë. “Që në fillim të filmit, ekipi ka pasur një ide të qartë për atë që donte të bënte dhe nuk ka lënë asnjë që të ndërhynte gjatë realizimit, madje as miqtë e Amy. Dal në film si një baba që ka munguar gjatë viteve të saj të fundit të jetës. Jepet ideja se ajo nuk kishte një familje. Por unë isha aty, ishim pranë saj gjatë gjithë ditës dhe Amy më telefononte madje edhe 7 herë në ditë. Por për këtë nuk flitet aspak në film”, ka thënë ai në një intervistë. Jo vetëm kaq, por ai nuk është dakord as për prezencën e fortë të ish bashkëshortit të Amy, Blake Fielder-Civil, të cilit në dokumentar i jepet liri e madhe e fjalës, duke krijuar kështu një imazh shumë të keq për të bijën. Lidhur me këtë çështje, avokatët e Amy Winehouse Foundation do të evidentojnë momentet e realizuara keq, për të bërë më pas denoncimin. /albeu.com/
Shtuar më 30/04/2015, ora 14:36

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori