Hueyda El Sayed: Si është të vlerësosh mësuesit
Pëlqej
Ish-balerina e famshme është rikthyer në vëmendje me një eksperiencë të veçantë, si anëtare jurie për të vlerësuar mësuesit. Lexoni rrëfimin e saj për Panorama Plus.

Hueyda teksa të ndjekim në rrjetet sociale, të shohim shumë në formë, por dhe që praktikon shumë sportin, veçanërisht yoga, çfarë po ndodh në jetën tende?

Është e vërtetë që bëj të paktën tri herë në javë yoga dhe më pëlqen shumë. Erdhi një moment kur ajo çfarë isha dhe çfarë kisha mëparë, nuk më pëlqente, nuk më mjaftonte më, kështu që prej 6 muajsh kam hyrë në një fazë dhe dinamikë te re të jetës sime. Yoga më ka bërë të ndihem më e sigurtë, por mbi të gjitha ndihem e lirë dhe në harmoni me veten, me zgjedhjet e mia, në rolin e artistes, nënës dhe gjithçka që më rrethon.

Meqenëse përmende rolin e nënës, çfare mamaje je ti?

Nuk mund ta perkufizoj me një fjalë, por ajo që mund të them është që, përveç dashurisë dhe përkujdesit per Gabrielin, mundohem të flas dhe t’i shpjegoj atij pothuajse gjithçka. Nuk mjaftohem me “Jo, mos e bëj këtë!”, por ia shpjegoj pse nuk duhet ta bëjë. Sigurisht ka momente që bërtas kur gabon, por në përgjithësi ne të dy bisedojmë shumë.

Gabrieli shkon në kopsht apo kujdesesh ti për të?

Gabrieli prej 9 muajsh shkon në kopsht, madje shkon më shumë qejf se i do shumë mësueset e tij, aq sa ndonjëherë harron të më puthë para se të futet në klasë. Është në një kopsht luksemburgez dhe ky fakt bën që ai tashmë flet tri gjuhë: frëngjisht, luksemburgisht dhe shqip.



Kemi kohë që nuk të kemi parë në ekran, cili do të ishte projekti që do të të bënte të ktheheshe përseri te ne?

Kam pasur oferta, por tashmë jeta ime është në Luksemburg dhe mund të pranoj vetëm projekte afatshkurta. Ama, sot preva biletën për të ardhur në Tiranë për të parë gjyshen, tezen dhe miqtë e mi, në muajin nëntor.

Por ti je gjithnjë në kontakt me Shqipërinë si aktiviste e të drejtave të njeriut, si dhe së fundmi je bërë pjesë e jurisë që vlerësoi kandidaturat për Çmimin Kombëtar “Mësuesi i Vitit”. A mund të na thoni diçka më tepër për këtë nismë?

Mësuesi është një ndër figurat kryesore që luan një rol të pazëvendësueshëm në jetën e fëmijëve dhe të rinjve, sepse të jesh mësues është mision. Koalicioni për Arsimin në Shqipëri, Qendra për Mbrojtjen e Fëmijëve në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, iu bashkuan nismës së Varkey Foundation, për të organizuar në Shqipëri Çmimin Kombëtar “Mësuesi i Vitit”, i cili synon të evidentojë dhe vlerësojë në rang kombëtar mësuesit për kontributin që japin në mësimdhënie, që ndihmojnë femijët në mirarsimimin e tyre, që përdorin teknika inovative gjatë shpjegimit të lëndës së tyre, që mbrojnë dhe avokojnë për garantimin e një arsimi cilësor gjithëpërfshirës për të gjithë femijët në mbarë vendin.

Si anëtare e jurisë, cilat ishin disa nga kritetet që ju u bazuat për vlerësimin e më- suesve?

Çdo mësuses, staf shkolle në rang kombëtar u ftua që të merrte pjesë në nominim, nëpërmjet aplikimit në faqen: http://www.acce.al/sq/cmimi-kombetar-%E2%80%9Cmesuesi-i-vitit%E2%80%9D duke e shoqëruar aplikimin me një biografi dhe kontribut të punës së mësuesit, letrave të referencës etj. Disa nga kriteret ishin: Arritja e rezultateve të nxënesit të demonstrueshme në klasë. Njohja e arritjeve të një mësuesi në klasë dhe më gjerë nga nxënësit, kolegët, drejtuesit e shkollës ose anëtarët e komunitetit e më gjerë.

Përdorimi i praktikave mësimore inovative dhe efektive që janë të riprodhueshme dhe që ndikojnë në cilësinë e arsimit. Aftësimi i fëmijëve për t’u bërë qytetarë globalë, duke u ofruar atyre një arsimim të bazuar te vlerat, i cili i pajis ata me aftësi për jetën. Inkurajimi i mësuesve për të qëndruar në profesion, duke zhvilluar aftësitë e tyre, si dhe për të inkurajuar mësues të tjerë që të bashkohen me ta në profesionin e mësimdhënies.

Sa interes ka pasur nga mësuesit për këtë nismë dhe sa mësues fitues do të dalin?

Interesi i mësuesve dhe jo vetëm, për pjesmarrje në këtë nismë ka qenë në nivele të kënaqshme, duke pasur parasysh që organizohet për herë të parë në Shqipëri. Ne si anëtarë të jurisë, nëpërmjet një procedure rigoroze, individuale dhe sistemi pikëzimi, vlerësojmë mësuesit, ndarë në 5 kategori kryesore, prej të cilave doli 1 fitues për secilën kategori, dhe 1 mësues u vlerësua si mësuesi më i mirë i vitit. Kategoritë e përzgjedhura, që janë në linjë edhe me fushat e zhvillimit të arsimit parauniversitar në Shqiperi, janë: Mësuesi i Vitit në Mësimdhënie – Mësuesi i Vitit Avokues për të Drejtën për Arsim – Mësuesi i Vitit në Inovacion – Mësuesi i Vitit si Kontribues në Arritjet Akademike të Shkollës – Mësuesi i Vitit në Arsim Parashkollor. Më lejoni të theksoj se për çdo anëtar të jurisë, për të zhvilluar një vlerësim sa më transparent dhe objektiv, aplikimet e më- suesve ishin të pajisura me një numër të koduar dhe nuk ka asnjë referencë në lidhje me emrin/ mbiemrin apo kontaktin e mesuesit aplikues.

Nga sa anëtarë përbëhej juria që u mor me vlerësimin e kandidaturave të mësuesve?

Juria përbëhej nga 7 anëtarë, të cilët janë figura të shquara të botës akademike, figura publike, si Ben Andoni, Klodeta Dibra, Enkeleda Olldashi, Edlira Haxhiymeri, Unë (Hueyda), Flora Nikolla dhe një vlerësim bëhet edhe nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

Do ketë konkurrim të mëtejshëm për fituesin?

Pardje, Koalicioni për Arsimin në Shqipëri (CRCA) dhe Ministria e Arsimit shpallën emrat e mësueseve fitues në çdo kategori. Këta mësues do të konkurrojnë në “Global Teacher Prize”, i cili është vlerësuar nga media si çmimi Nobel në Mësimdhënie, është një iniciativë kjo e Fondacioni Varkey, evenimentit më të madh në botë, i cili ngre lart dhe vlerëson figurën dhe misionin e mësuesve.

Ti shpesh ke marrë pjesë në konkurse, por si protagoniste e çdo herë fituese, si ishte si eksperienca e të qenët në një juri ku duhet të gjykoje mësuesit?

Ishte një eksperiencë shumë interesante dhe emocionuese njëkohësisht. Ndërsa studioja biografitë profesionale dhe aplikimet e secilit prej mësueseve, ishte e pamundur të mos kujtoja mësueset e mia të dashura, por, për hir të së vërtetës, ka pasur nga ato që më frikësonin. Megjithatë, ajo për të cilën pata një mendim të veçantë është më- suesja ime e klasës së dytë, Berina Cipi. Ka qenë periudha e monizmit dhe më kujtohet një ditë nuk kisha ç’të haja në shtë- pi, pasi të tërë çeqet prej dollarësh që na dërgonte im atë pothuajse çdo muaj, na i bllokonin shpesh në bankë, me preteksin se duhet te verifikoheshin nga shteti.

Atë ditë në 30 minutëshin e pushimit, nga që s’kisha ç’të haja, vendosa të qëndroja në klasë. Mësuese Berina dhe pse unë i thashë që kisha ngrënë, insistoi dhe më dha bukën e saj. I jam mirënjohëse për jetë asaj gruaje për shumë arsye.

Gjatë vlerësimit u mundova të jem sa më objektive, por nëse mësuese Berina do të kishte qenë në këtë konkurrim, jo vetem që do t’i kisha dhënë pikët maksimale, por do të kisha bërë lobing deri në Dubai, ku do të zhvillohet finalja e madhe e Global Teacher Prize. (qesh)
Shtuar më 07/10/2017, ora 17:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori