24 orët kritike të Vladimir Putinit/ Negociatat, si u tërhoq Prigozhin nga grushti i shtetit

Presidenti rus, Vladimir Putin, u përball dje me një nga sfidat e tij më të mëdha që nga ardhja e tij në pushtet më shumë se dy dekada më parë.

Dje mercenarët e Wagner udhëtuan në drejtim të Moskës me qëllim ndryshimin e regjimit në Rusi. Yvengy Prigozhin dha urdhrin për rebelim mbrëmjen e 23 qershorit, duke akuzuar ushtrinë ruse për sulme vdekjeprurëse kundër forcave të tij në Ukrainë.

Mercenarët e Wagnerit, në orët e para të së shtunës, morën kontrollin e qytetit Rostov-on-Don, pranë kufirit me Ukrainën, dhe u nisën drejt Moskës.
Prigozhin tha se njerëzit e tij ishin vetëm 200 kilometra larg Moskës, kur vendosi t’i kthejë ata.

Ai nuk tha nëse Moska i është përgjigjur kërkesës së tij për të shkarkuar ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu. Presidenti rus, Vladimir Putin, i cilësoi veprimet e Wagnerit si “tradhti”.

Por, pas gati 24 orësh, ai u dha urdhër forcave të tij që të tërhiqen, për të shmangur, siç tha edhe ai, gjakderdhjen. Vendimi u mor pas negociatave me udhëheqësin bjellorus, Aleksandër Lukashenko.

Si pjesë e marrëveshjes, Prigozhin është lejuar të shkojë në Bjellorusi dhe Kremlini ka thënë se do të heqë të gjitha akuzat kundër tij. Negociatat u zhvilluan me marrëveshjen e Putinit, tha shërbimi për shtyp i Lukashenkos.

Kremlini ra dakord të heqë dorë nga ndjekja penale kundër udhëheqësit të grupit Wagner dhe gjithashtu u dha luftëtarëve Wagner garanci sigurie.
Çfarë tjetër iu ofrua Prigozhin dhe mercenarëve nuk është ende e qartë.

Rusia ka përdorur territorin e Bjellorusisë për të nisur sulme ndaj Ukrainës që nga fillimi i pushtimit, duke fshirë efektivisht sovranitetin e Bjellorusisë. Çdo shenjë që tregon kontrollin e dobësuar të Putinit në pushtet kërcënoi regjimin e Lukashenkos në Minsk, i cili është shumë i varur nga Moska./Albeu.com/


Shtuar 25.06.2023 08:14