Windows 7 dhe 8.1 mbeten pa përditësime

Sistemet operative të Microsoft, Windows 7 dhe Windows 8.1, do të jenë pa përditësime sigurie dhe mbështetje teknike nga 10 janari.

Microsoft Edge 109 është versioni i fundit i shfletuesit që mbështet sistemet operative të vjetra, por nuk është i vetmi shfletues që ngre duart nga Windows 7 dhe 8.1. Google njoftoi në tetor të vitit të kaluar se më 7 shkurt të këtij viti Chrome i saj do të përfundojë mbështetjen për sistemet operative të përmendura. Ndërsa të dy shfletuesit do të funksionojnë në pajisjet që i përdorin, përditësimet kryesore të sigurisë dhe veçoritë e reja nuk do të jenë më të disponueshme. Mbështetja për WebView2, një mjet që u mundëson zhvilluesve të fusin përmbajtje të bazuara në ueb në aplikacionet e tyre, do të përfundojë gjithashtu më 10 janar.Kjo do të thotë se ka mbetur shumë pak kohë për rreth 100 milionë përdorues të makinerive që ende përdorin Windows 7 për të kaluar në një sistem operativ më të ri ose përndryshe përballen me rreziqe sigurie nga përdorimi i një sistemi operativ dhe shfletuesi të pambështetur.

Një sondazh i botuar në tetor me 27 milionë pajisje Windows zbuloi se më shumë PC përdorin Windows XP, 7 ose 8 sesa Windows 11.

Sidoqoftë, duhet thënë se Microsoft ka njoftuar përdoruesit me kohë dhe fundi i mbështetjes për Windows 7 u njoftua për herë të parë në vitin 2020. Përdoruesit që ende marrin përditësimet janë në fakt ata që kanë paguar për tre vitet shtesë të arnimeve të sigurisë.