Shpërthimi në lokalin e biznesmenit në Përrenjas, policia zbardh ngjarjen: Ishte granatë jo tritol, në pranga autorët

Policia ka zbardhur ngjarjen e një dite më parë, ku orët e para të mëngjesi iu vu lëndë plasëse biznesit Dh. Kokonozit në Përrenjas.

Nga shpërthimi ka pasur dëme të pjesshme dhe thyerje të xhamave edhe të disa apartamenteve pranë biznesit.

Policia bën me dije se nuk ka qenë tritol, por granatë dore ajo që ka shkaktuar shpërthimin.

Vijon puna, nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të motivit dhe të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Njoftimi i policisë:

Nga hetimet rezultoi se në verandën e lokalit të shtetasit Dh. K., nuk është hedhur lëndë plasëse tritol, por një granatë dore.

Identifikohen dhe vihen në pranga 2 shtetas, si autorë të dyshuar të kësaj ngjarjeje.

Njëri prej të ndaluarve, me precedent të theksuar kriminal, në Shqipëri dhe në Itali, për vepra penale në fushën e krimeve ndaj personit dhe pronës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd,  nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gyqësor Elbasan, falë veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale, në vendngjarje, me qëllim grumbullimin e çdo prove për zbardhjen dhe dokumentimin e kësaj ngjarjeje, identifikuan, shoqëruan dhe ndaluan  shtetasit:

-R. K., 23 vjeç dhe A. P., 41 vjeç, të dy banues në lagjen Nr. 2, Prrenjas, Librazhd. Nga veprimet hetimore të deritanishme rezulton se këta 2 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë autorët e dyshuar të hedhjes së një granate dore, në verandën e lokalit të shtetasit Dh. K.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 2 aparate celulare.

Vijon puna, nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të motivit dhe të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme hetimore./albeu.com


Shtuar 23.11.2022 10:26