Meta i dorëzoi detyrën, Begaj: Dita më e rëndësishme e jetës sime

Bajram Begaj ka folur nga ceremonia e marrjes së detyrës së presidentit të vendit në bulevard duke e cilësuar këtë si një nga ditët më të rëndësishme të jetës së tij.

Ai u shpreh se do të jetë përkrahës i komunikimit dhe bashkëpunimit të nismave dhe ideve që çojmë përpara shoqërinë tonë.

Ai tha se sot më shumë se kurrë kërkohet unitet dhe bashkëpunim it ë gjitha klasave politike në vendin tonë.

“Kjo është dita më e rëndësishme e jetës sime. Ky besim më ngarkon me përgjegjësinë më të madhe ndaj historisë së vendit tonë. Do të jem kontribues dhe përkrahës i komunikimit dhe bashkëpunimit të nismave dhe ideve që çojnë përpara shoqërinë tonë.

Dialogu dhe bashkëpunimi, dëgjimi i zërit dhe medias së lirë, respektimi dhe pranimi i debatit mundëson që forca e tij të shpërblehet me mirëqenie për qytetarët. E ardhmja e vendit është përgjegjësi e të gjithëve. Sot më shumë se kurrë kërkohet unitet dhe bashkëpunimi i klasave politike. Do inkurajoj çdo veprim për marrëdhënie të shëndosha mes institucioneve.

Të vijojmë në rrugën e reformës në drejtësi. Jo thjesht sepse ky është kusht për anëtarësimin në BE por edhe sepse ndërtimi i një gjyqësori të pavarur garanton luftë pa kompromis ndaj korrupsionit. Reforma në Drejtësi me ndihmën e SHBA dhe BE po jep frytet e saj. Shpreh mirënjohjen ndaj tyre për ndihmën e pakursyer. Te Shqipëria dhe shqiptarët miqtë tanë do gjejnë partnerin e besuar”, tha Begaj.