Pas videos emocionuese, 9-vjeçarit i vijnë mijëra aplikime për ta birësuar (VIDEO)

“Shpresoj që dikush të më zgjedhë”, tha Jordan, 9 vjeç, nga Oklahoma, në një video që tashmë është virale.

Jordan, i cili ka qenë në një shtëpi fëmijësh për gjashtë vjet uroi për një familje dhe shprehu ëndrrën e tij për t’u birësuar, gjatë një interviste në televizion, duke ngjallur interes nga shumë familje në të gjithë vendin.

Zyrtarët thanë se po shohin dhe po kërkojnë mes mijëra kërkesave për birësim.

“Unë thjesht do të doja të kisha një familje dhe të thërrisja mamin dhe babin, ose vetëm mamin, ose vetëm babin. Nuk e kam problem. Arsyeja pse kjo është e rëndësishme, është sepse kështu mund të kisha disa njerëz për të folur në çdo kohë, kur kam nevojë.”

Më pas, ai shton:

“Shpresoj që dikush të më zgjedhë.”

Brenda 12 orësh, pasi Jordan bëri lutjen e tij, mijëra kërkesa për adoptim erdhën nga i gjithë vendi.

Përveç gjetjes së një familjeje përgjithmonë, Jordan po kërkon edhe të rilidhet me vëllain e tij biologjik, i cili u birësua vitin e kaluar pa të.

“Ishte shumë e vështirë për Jordan. Atij i mungon shumë i vëllai”, u shpreh Christopher Marloëe, një specialist i mirëqenies së fëmijëve në Departamentin e Shërbimeve Njerëzore në Oklahoma.

Ai thotë se janë bërë përpjekje për t’i bashkuar ata përsëri:

“Kohët e fundit kemi arritur në gjetjen e kontaktit me atë familje (familjen që birësoi të vëllain e Jordan) dhe jemi në procesin e rindërtimit të kësaj marrëdhënieje. Familja birësuese ka vendosur që ta marrë Jordan, ndonjë ditë, për të kaluar më shumë kohë me vëllain e tij biologjik”.


Shtuar 9.09.2020 11:33