Basha i dha fund epokës së Berishës në PD? Kush janë 7 demokratët që i dolën publikisht kundër

Mbrëmjen e djeshme kryetari i PD Lulzim Basha deklaroi se ka përjashtuar nga PD Sali Berishën.

Ky vendim shkaktoi zhurmë të madhe mes demokratëve, ndërkohë Basha deklaroi se ky vendim është shumë i vështirë por i domosdoshëm për të ardhmen e partisë.

Ndërkohë që sot PD shkon në Kuvend pa Sali Berishën, të shumtë janë demokratët të cilët kanë shpërthyer në kritika ndaj kryetarit aktual Lulzim Basha.

Por kush janë 7 demokratët të cilët dolën menjëherë kundër vendimit për përjashtimin e Bashës? Publikisht kundër këtij vendimi reagoi Flamur Noka, Bujar Leskaj, Albana Vokshi, Oerd Bylykbashi, Tritan Shehu, Kreshnik Collaku, Luciano Boci.

Deklarata e Flamur Nokës:

Folëm në zyrë, por do ta shpreh edhe këtu. Mohimi i Sali Berishës, është mohim i PD. Me këtë vendim, po i jepni PD-së goditje të rëndë. Po i jepni Ramës atë që ai ëndërronte. Vendimi duhet të shkojë për referendum në anëtarësi. Vendimi i gabuar, po mohojmë historinë. Sali Berisha është njeriu më proamerikan i 30 viteve të fundit të demokracisë. Berisha themeloi PD-në u ngrit kundër regjimit mbi vlerat dhe parimet e demokracisë amerikane u themelua PD. Busulla ka një dhe vetëm një e Berishës dhe e PD-së: Orientimi i euroatlantik. Në lidhje me vendimin Berisha po ecën në drejtimin që ka mbajtur. Përjashtimi është mohim i Partisë Demokratike, është të mohosh suksesin e kësaj force. Arsyet pse e ka marrë këtë vendim i di kryetari sepse e ka marrë vetë.

Deklarata e Bujar Leskajt:

Nuk kam marrë leje lart. Nuk kam marrë leje, nuk flas dot.

Deklarata e Albana Vokshit: 

Është vendim tronditës. Jam kundër vendimit, por mund ta kem subjektiv, për shkak të marrëdhënies që kam prej vitesh me Sali Berishën. Unë nuk jam e bindur si ju zoti kryetar që vendimi është në interes të PD. Nga qindra mesazhet që kam marrë, më rezulton së është vendim i gabuar, pasi shumica e demokratëve janë kundër. Ju thatë që mbani barrën, por barrën duhet ta mbajmë të gjithë dhe vendimi të votohet në forume. Nëse ju dobësoheni, dobësohet partia, ndërsa ne si ekip punojmë për t’ju rritur ju. Ne duhet të shprehemi me vote sepse jemi parti e mendimit të lirë.

Deklarata e Oerd Bylykbashit: 

Vendimi do të sjellë përçarje, jo vetëm horizontale, por dhe vertikale, nga lart-poshtë. Ne kemi marrë 622 mijë vota, por a na çon ky vendim tek 750 mijë vota nesër, sepse do të ketë pasoja.

Deklarata e Tritan Shehut:

Vrave PD-në. PD ka hyrë në një spirale shumë të rrezikshme.  Një vendim i tille nuk mund të merrej nga vetëm një njeri, qoftë dhe kryetari. Duhej ta gjykonim sëbashku. Kam qenë kryetar i partisë, por të tilla vendime nuk duhet të merren nga 1 njeri, sepse vihet në dyshim ekzitenca e partisë. Këtë vendim nuk e merr dot ti, sepse PD ka forume.

Deklarata e Kreshnik Çollakut: 

Pse ta hedhim në votë? Asnjë nuk do ta votonte, kështu që le ta marrë peshën kryetari. Ështe një vendim vetëkryqëzues.

Deklarata e Luçiano Boçit:

Mbrëmjen e djeshme, Lulzim Basha njoftoi se me një vendim të tijin personal ka vendosur përjashtimin nga grupi parlamentar të ish-kryeministrit Sali Berisha. Vendimi sipas Bashës është personal ndërsa theksoi se është në fuqi deri në përfundimin e procesit gjyqësor që vetë Berisha ka hapur kundër sekretarit amerikan të shtetit, Anthony Blinken. /albeu.com/


Shtuar 10.09.2021 09:31