“Polici që na vret, 5 pyetjet që Policia e Shtetit duhet t’u përgjigjet publikisht pas tragjedisë në Himarë”

Pas tragjedisë së ditës së sotme në Potam, ku polici me gomone goditi vajzën 7-vjecare për vdekje, ka reaguar gazetari Emirjon Senja.

Përmes një shkrimi të gjatë Senja shtron 5 pyetje për Policinë e Shtetit, që duhet të marrin përgjigje publikisht, pas tragjedisë në Himarë.

Postimi i Emirjon Senjës:

Pas një viti të mundimshëm, nën frikën e koronavirusit nga njëra anë, tmerrit të çmimeve nga ana tjetër dhe pasigurisë së përgjithshme që e karakterizon këtë vend, një familje normale shqiptare niset për të pushuar disa ditë në jug me qëllim marrjen e energjive për të rinisur sfidën e të jetuarit në këtë vend edhe një vit tjetër deri në pushimet e radhës.

Dhe, pasi i ka mbijetuar “rrjepjes” prej çmimeve të çmendura që karakterizojnë jugun gjatë këtij sezoni, përballen me një fatkeqësi të tmerrshme siç është humbja e fëmijes për shkak të një trimi me uniformë, për të cilin nuk ekzistojnë ligje apo rregulla..se fundja..ai është polic..rregulli i pashkruar në këtë vend është se policët edhe mund të vrasin dhe nuk japin llogari kërrrkund.

Tani, para se bëjë rolin e agjencisë funerale duke u mjaftuar vetëm me njoftimin e vdekjeve apo të bëjë spektakël me përjashtime publike nga radhët e policisë të një polici pasi ka vrarë në sytë e qindar personave një fëmijë që po gëzonte mes dallgëve të plazhit të Potamit, Policisë së Shtetit i duhet t’i japë përgjigje disa pyetjeve:

1-Në pronësi të kujt ishte skafi që drejtonte polici Arjan Tase, me të cilin vrau fëmijën 7-vjeçar?

2-Nëse ishte në pronësinë e tij, a ka bërë policia një verifikim të mëparshëm pasurur në lidhje me këtë efektiv policie?

3-Nëse nuk ishte në pronësi të tij, kush ishte pronari i skafit dhe cili ishte raporti i policit në fjalë me pronarin e këtij mjeti lundrues? Sepse, sipas parimit “nuk ka drekë falas”, Tase i ka bërë një nder pronarit të skafit që meriton një sajdisje të tillë tani, kur edhe janë rritur ndjeshëm çmimet e karburanteve. A ka lidhje ky “nder” me periudhën kur ai drejtonte komisariatin e Himarës?

4-Pse një qytetar i thjeshtë duhet të kalojë përmes shumë filtrave për të hipur mbi skaf, kurse një efektiv policie mundet që ta drejtojë atë në mes të pushuesve, madje edhe pa patente?

5- Pse u riintegruar në radhët e Policisë së Shtetit nëse ishte përjashtuar më parë efektivi Arjan Tase?

Këto përgjigje janë ato që do të bënin çdo shqiptar që të besonte se Policia e Shtetit e ka me vërte përjashtimin e tij nga radhët e uniformave blu, çdo qasje tjetër që i bën bisht këtyre pyetjeve është një burë më tepër në varrin e 7-vjeçares së ndjerë. /albeu.com/