VIDEO/ Iu gjetën 11 kg kanabis në proces tharje pranë banesës, arrestohen babë e bir në Krujë

Babë e bir janë arrestuar nga policia e Krujës pasi kishin përshtatur një ambjen afër banesës së tyre në fshatin Kroi i Madh për tharjen e bimëve narkotike.

2 shtetasit e arrestuar, dyshohet se janë edhe autorë të kultivimit të rreth 320 bimëve narkotike, të gjetura gjatë kontrolleve të ushtruara nga Policia, 3 javët e fundit, në fshatin Kroi i Madh.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Kroi i Madh” u vunë në pranga shtetasit Ndriçim Kani, 43 vjeç dhe Bujar Kani, 22 vjeç (babë e bir), të dy banues në fshatin Kroi i Madh, Krujë.

“Këta 2 shtetas kishin përshtatur një ambient në afërsi të banesës së tyre, në fshatin Kroi i Madh, për përpunimin (tharjen) e bimëve narkotike. Gjatë kontrollit në këtë ambient, shërbimet e Policisë gjetën rreth 11 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe disa bimë në proces tharje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me 2 celularë”, bën me dije policia.

Nga verifikimet e kryera dyshohet se 2 të arrestuarit janë autorë edhe të kultivimit të rreth 320 bimëve narkotike, të gjetura gjatë kontrolleve të ushtruara nga Policia, gjatë 3 javëve të fundit, në fshatin Kroi i Madh.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./Albeu.com/ 


Shtuar 14.08.2023 11:54