Kurti tregon detajet e vendimit për hekurudhën Prishtinë-Durrës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka treguar detajet e dy vendimeve të marra nga mbledhja e fundit të Qeverisë së Kosovës.

Kurti ka thënë se marrëveshja për hekurudhën Durrës-Prishtinë do të ratifikohet Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, me ratifikim në Kuvend, do të përcaktohet procedura, do të ndahet kostoja, ashtu që hekurudha të realizohet.

Në takimin midis Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë që u mbajt në Prishtinë muajin e kaluar, është prezantuar projekti i ndërtimit të projektit tregtar në Porto-Romano, integrimi me hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe Porti i Thatë në Kosovë.

Për këtë projekt sot ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke treguar se pas ratifikimit në Kuvend, do të të përcaktohen edhe procedurat dhe do të dihen kostot.

“Në mbledhjen e 87-të të Qeverisë, miratuam vendime për dy marrëveshje, dy projekte madhore zhvillimore. Për njërën do të kërkohet ratifikimi në Kuvendin e Republikës, për tjetrën autorizimi i Presidentes për nënshkrimin e të njëjtës. Pas mbledhjes së përbashkët të dy Qeverive Kosovë-Shqipëri, me hapa të sigurt po ecim drejt realizimit të lidhjes hekurudhore Durrës-Prishtinë. Me ratifikim në Kuvend, do të përcaktohet procedura, do të ndahet kostoja, ashtu që hekurudha të realizohet”, shkruan Kurti.

Shefi i qeverisë i ka thënë disa fjalë edhe për negociata që janë bërë me MCC lidhur me financimin e projekteve.

“Ndërkaq, pas negociatave të suksesshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), do të kërkohet autorizimi nga Presidentja, për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëfinancimit në vlerë prej 236.7 milionë dollarë, për investimin më të madh ndonjëherë në fushën e energjisë”.

Gjatë ditës së djeshme Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar dy vendime.

Me vendimin e parë është miratuar Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëfinancimit për Studimin e Fizibilitetit dhe Projekt-Idesë për Lidhjen Hekurudhore Durrës-Prishtinë.

“Qëllimi i kësaj marrëveshje është përcaktimi i procedurave dhe ndarja e kostove ndërmjet palëve për financimin e Studimit të Fizibilitetit të këtij projekti, gjegjësisht për zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Ndërsa vendimi i dytë i miratuar në këtë mbledhje, ka të bëjë me Projektin “Kompakti i Sfidave të Mijëvjeçarit”, për autorizim të Ministres së Ekonomisë nga Presidentja e Republikës së Kosovës për nënshkrimin e Marrëveshjes së bashkëfinancimit dhe Marrëveshjes për implementimin e Projektit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Ditë me parë, kompania holandeze “Royal HaskoningDHV” ka publikuar detaje mbi projektin për ndërtimin e Portit të ri të Durrësit në Porto Romano, i integruar me projektin e hekurudhës Durrës-Prishtinë dhe portin e thatë në Prishtinë, që përveç rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve pritet të kthejë Durrësin në një nga portat strategjike të ekonomisë së Mesdheut.

Sipas prezantuesit të projektit, Eric Smit nëse ky port do të realizohet Kosova dhe Shqipëria do të ndryshojnë lojën në Ballkan.

“Nëse ky port do të ndërtohej, do ta ndryshojnë lojën jo vetëm për dy shtetet, por edhe për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Smit nga Royal Haskoning DHV.

Kurse, deri në vitin 2050 pritet të trajtohen deri në 100 mijë kontejnerë në Portin e Thatë në Prishtine. Parashikohet që veprimtaria e portit të fillojnë në vitin 2025.

Porti i Porto-Romanos do t’i ketë 400 hektarë sipërfaqe me një kapacitet prej 2 milionë kontejnerë deri në 50 milionë tonelata.

Po ashtu, do të ketë 1 milionë udhëtarë, ku distanca deri në Prishtinë do të jetë 265 kilometra./monitor