Franca në alarm, vendi pret thatësirë të madhe, 32 ditë pa reshje shiu

Franca është në “gjendje gatishmërie” për shkak të thatësirës së madhe, siç deklaroi sot ministri i Tranzicionit Ekologjik, Christophe Bessou.

Duke theksuar se masat emergjente kufizuese do të merren brenda muajit mars, në një intervistë për rrjetin francez “Franceinfo”, ministri përgjegjës theksoi se nesër do të ngrihet një komision për parashikimin e thatësirës dhe të hënën do të ketë një takim me të gjithë kryetarët e komunave për të shqyrtuar hapat e ardhshëm të qeverisë.

Përveç kësaj, në përpjekje për të qetësuar fermerët, ministri francez i tranzicionit ekologjik theksoi se, në ditët në vijim, qeveria në Paris do të paraqesë një “plan të madh” për t’u përballur me thatësirën, në mënyrë që të inkurajojë francezët të zvogëlojnë konsumin e tyre të ujit të pijshëm.

“Është dimri më i thatë që nga viti 1959. Ndërsa në disa pjesë të vendit priten reshje në ditët në vijim, vendi ynë ka qëndruar për 32 ditë pa reshje të konsiderueshme”, tha ai.

Mes shqetësimeve në lidhje me rezervat ujore në pjesë të Evropës që ende janë nën ndikim nga thatësira e rëndë e vitit të kaluar, Franca po jep alarmin, siç komenton gazeta franceze Le Parisien.

Me reshjet në të gjithë vendin në më pak se një milimetër në ditë që nga 21 janari, shërbimi i motit Meteo France paralajmëroi se:

“Dimri është normalisht një periudhë kritike për pasurimin e niveleve të ujërave nëntokësore me reshje. Numri i 32 ditëve pa shi është “asnjëherë më parë” në një dimër në të dhënat që datojnë që nga viti 1959.” /albeu.com


Shtuar 22.02.2023 12:12