Filmi: CIA vret zëvendëskryeministrin e Kosovës
Është destinacioni i radhës i operacionit të Njësitit “Divison”, pjesë e shërbimit sekret amerikan të SHBA-së, në episodin më të ri të serialit amerikan “Nikita”.

Sipas KTV-së, cak është zëvendëskryeministri i Kosovës, Kosta Beqiraj, që seriali e identifikon si kreun e krimit të organizuar, të trafikimit të drogës dhe njerëzve në Kosovë.

Para nisjes për në Kosovë, ka dyshime nëse ndërhyrja në një shtet të pranuar ndërkombëtarisht do të shkaktonte incident diplomatik.

Personazhi kryesor i serialit, Nikita, që luhet nga aktorja Maggie Q (në foto), niset për në Kosovë për të gjetur mjekun Heidecker, i cili vjen këtu për t’ia mirëmbajtur këmbën artificiale Beqirajt.

Ai e kishte humbur këmbën, kur një vit më parë CIA kishte dështuar ta eliminojë zv/kryeministrin e Kosovës.
Por, Nikitia ia del ta gjejë në vilën ku ai mban prostituta. Ndihmësit e tij të shumtë bëjnë që Beqiraj të arrijë t’i marrë peng Nikitën dhe Heideckerin.

Duhet intervenimi i bazës në SHBA, që e dërgon në Kosovë pjesën tjetër të ekipit të “Division”-it, për ta shpëtuar Nikitën.

Në vilën e Beqirajt, fillimisht amerikanët vrasin dy pjesëtarë të FSK-së e më pas hyjnë brenda, ku e heqin përfundimisht qafe edhe zv/kryeministrin, duke e vrarë, por duke e lënë të kuptohet që këtë e bëri një nga rojat e tij.

Pas suksesit të operacionit në Kosovë me vrasjen e Beqirajt, presidenti i jep detyra të reja të rëndësishme Njësitit “Division”.

Seriali “Nikita” është në sezonin e tretë dhe transmetohet në CW Network në SHBA, ku shikohet nga mesatarisht 2.4 milionë shikues çdo natë.

Ai transmetohet edhe në Britani të Madhe, Francë, Holandë, Bullgari dhe në shtete të tjera.
Shtuar më 28/02/2013, ora 17:52
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori