"Ezeli" shqiptar në serialin turk (FOTO LAJM)

Nik Xhelilaj, Ezeli shqiptar në serialin turk
Personat që janë të dhënë pas telenovelave turke, tashmë do të kenë edhe një arsye më shumë për ti ndjekur ato pasi mes protagonistëve të përzgjedhur, do të shfaqet dhe aktori shqiptar Nik Xhelilaj.

Sipas Panoramës, 29 vjeçarit shqiptar i ka ardhur një ofertë nga Turqia, për të qenë aktor kryesor në serialin televiziv “Kayip Sehir Dizisi”, që ka nisur të transmetohet në Turqi e disa televizione europiane, por që në Shqipëri do të nisë transmetimin në muajin shtator.

Thuhet se për këtë rol, ai do të shpërblehet me miliona, arsye kjo që e ka bindur të rikthehet dhe një herë në Turqi, vend të cilin ai ka pohuar se e kishte braktisur disa vite më parë, ndërsa kishte lënë përgjysmë studimet e një shkolle ushtarake. Ndërkohë para se të firmoste këtë projekt, Niku ishte aktor i Trupës së Teatrit Kombëtar, ku paguhej me një rrogë fikse shteti, që natyrisht nuk do t’i përmbushte ambicien e tij në kulmin e karrierës.

Seriali trajton një histori mjaft interesante, ndërkohë që kudo janë shpërndarë dhe afishuar posterat me portretin e aktorëve turq, mes të cilëve dhe Niku. Për herë të parë një aktor shqiptar merr pjesë në një rol kryesor në një prodhim turk, dhe ndoshta jo pa qëllim zgjidhet Niku, të cilin së fundi juria e “Shooting Stars”– European Film Promotion” e shpalli një nga 10 talentet e reja të Europës, i përfaqësuar me filmin “Shqiptari”.

"Kayip Sehir Dizisi" që në shqip do të thotë "Qyteti i humbur", ka në rolet kryesore: Leyla Yaprak, Gökçe Bahadir, Nik Xhelilaj, Ilker Mur dhe Nazan Kesal. Ky serial si temë do të trajtojë jetën e njerëzve të rrugëve të Stambollit, tragjeditë e grave, romëve, jetën e transvestitëve, vuajtjet e zezakëve si dhe diskriminimin e tyre, problemet e fëmijëve të mitur si punëtorë krahu. Me një fjalë seriali zbulon një tjetër gjuhë të trajtimit dhe demonstrimit të disa dukurive sociale.

Niku do të luajë krah aktores së famshme turke Gökçe Bahadir, e cila famën më të madhe e ka marrë me rolin e Leylës në serialin ”Kur gjethet bien”. /albeu.com/
Shtuar më 26/08/2012, ora 13:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori