Artan Hoxha: Në Velipojë u zbulua parcela me 200 mijë rrënjë kanabisi, nuk kisha parë ndonjëherë

Kanabizimi i vendit është një nga problemet më shqetësuese të Shqipërisë dhe me sa duket policia nuk ka mundur ta frenojë kultivimin e bimëve narkotike. I ftuar në studion e “Abc Live”, në ABC gazetari Artan Hoxha tha se sipas të dhënave qarku më problematik ishte Shkodra. Në muajin qershor në Veliopjë u zbulua një parcelë me 200 mijë rrënjë dhe Hoxha u shpreh se nuk e kishte parë një të tillë më parë në Shqipëri.

Hoxha: Nuk e di pse ka qenë kjo lloj heshtjeje në medien dhe politikën shqiptare. Një nga plagët që ka Shqipëria është prodhimi i kanabisit. Por e pashë me sytë e mi që prodhuesit e kanabisit në Shqipëri kishin ikur dhe e prodhonin jashtë, në Spanjë. Pse kanë shkuar atje? Për shkak të fitimit që është më i madh dhe për shkak të dënimit. Atje dënimi është më i vogël se sa kur kapesh në Shqipëri. Kanabisi tani korret, flasim për atë që është në kushte natyrale.

Gjatë këtij sezoni ka qenë një detyrë e posaçme e Gledis Nanos i cili ka kërkuar me insistim që me kanabisin mos tolerohej askush. Qarku më problematik ishte Shkodra sipas të dhënave. Gjatë prillit he në fillim të majit në Shkodër ndodhën 4 ngjarje që kishin subjektiv 4 punonjës policie. Ishin këta që kontrollonin territorin dhe çonin informacionin në polici. U goditën mjetet e këtyre policëve me eksploziv. Të katërta rastet nuk janë zbuluar as sot e kësaj dite.

Në qershor, në Velipojë kishte një plantacion që nuk e kisha parë ndonjëherë në Shqipëri, 200 mijë rrënjë. Për këtë rast u arrestuan komandanti i postës dhe trupa policore dhe më pas u liruan në Gjykatë sepse ata kishin informuar që në zonën e tyre kishte kultivim kanabisi. Kjo sasi kanabisi ishte kultivuar në fushë e kombinuar me misër që mos binte në sy.