Eni Çobani rrëfehet: Ky është mëkati im më i ëmbël
Pëlqej
Eni Çobani është padyshim juristja më e njohur shqiptare.

Me dëshirën dhe zellin për të ndihmuar njerëzit ajo është bërë pjesë e rubrikës "Shihemi në gjyq" të e Diela Shqiptare
ku dhe vodhi edhe zemrat e shqiptarëve.

Por mesa duket Eni ka edhe gjëra për vetene saj që do t'i ndajë me publikun. Në një intervistë për Revistën Bordo ajo ka treguar disa sekrete që si dinim për të.


Cila është gjëja e parë që mendoni kur zgjoheni në mëngjes?

Interesante dhe intriguese, çfarë mund të mendojë njeriu sapo ngrihet në mëngjes? Mendoj për një ditë të ngarkuar, për një axhendë tepër intensive. E filloj ditën me përgatitjet e mëngjesit, me përgatitjen e gjërave që t’i lë gati, të njerëzve të familjes dhe në fund merresh dhe me veten. Ky është moment final, i kushtoj shumë pak kohë dhe pak a shumë e kam menduar paraqitjen time, si do dal për atë ditë dhe nuk më ha shumë kohë kjo pjesë.

Cili është mëngjesi juaj i preferuar?

Unë nuk ha mëngjes, mëngjesin e lidh më tepër me fëmijërinë. Për sa i përket pastaj adoleshencës, rinisë edhe në vazhdim nuk e konsumoj. Ndoshta kjo ka të bëjë me një farë ekuilibri biologjik të brendshëm që nuk ma kërkon trupi. Mjaftohem me ujë dhe kafe, ky është mëngjesi im. Sigurisht që do ta doja një mëngjes të mirë, por më duket sikur më rëndon, prandaj e kam evituar.

Cila është rutina ditore e bukurisë tuaj?

Nuk është se i kushtohem shumë, ka ditë të caktuara që unë merrem me këtë gjë, të lidhura detyrimisht edhe me daljet e mia mediatike. Pra, nuk merrem me pamjen në përditshmëri, unë jam thjeshtëzuar shumë nga lodhja e trukut dhe përgatitjeve të natyrave të ndryshme. Uroj që kur të dal të mos kem një ditë të ngarkuar, të dal ujë e sapun nga shtëpia, jam duke menduar që fytyra duhet lënë pa make up, tregohem rigoroze ta mbaj të lirë lëkurën nga faktorët e jashtëm.

Në ç’mënyrë përkujdesesh për flokët tuaj?

Kam vite që flokët i trajtoj në parukeri, nga shpejtësia e përgatitjeve ka ikur edhe ajo rutina e larjes së flokëve në shtëpi, tani si unë dhe kushdo i drejtohemi një parukieri të mirë.

Ka hyrë kjo kulturë në Shqipëri dhe më vjen mirë që gratë shqiptare kanë filluar të ndërgjegjësohen edhe për mirëmbajtjen e tyre. Floku është një pjesë e bukurisë së femrës, unë kam pasur gjithmonë një flok relativisht të mirë, por patjetër që e kuroj edhe me produkte të mira. Gjithçka ja lë në dorë parukierit tim prej vitesh, Oltit. Ai është njeriu që më trajton, më kreh e më përgatit në rastet kryesore në të cilat unë jam në media.



Cilat janë produktet që nuk mungojnë kurrë në çantën tuaj?

Një femër që ka takime të shumta duhet të jetë patjetër edhe e kuruar. Unë e kam lehtësuar disi veten nga kjo dhe në përditshmëri kam kremin tim ditor të padiskutueshmëm çdo mëngjes, që ka sigurisht edhe faktorin mbrojtës ndaj diellit. Kam kohë që e trajtoj lëkurën me kremra të firmës Korff, më ka ndihmuar shumë, kam parë rezultate dhe nuk i largohem më, i jam shumë besnike. Sigurisht që kam një beauty-case me vete për t’u ndjerë estetikisht mirë, por jo se bëj ndonjë gjë të madhe për lëkurën dhe fytyrën në përditshmëri, mbaj ato që çdo femër ka më të nevojshmet.

Si relaksoheni përpara një takimi apo një ngjarje të rëndësishme. Çfarë bëni?

Ne shkojmë nga një event në tjetrin, apo nga një dalje publike në tjetrën. Unë jam një natyrë që i marr gjërat me sportivitet, tani u bënë vite që jam pjesë e ekranit dhe televizionit, shtëpisë sime të dytë. Kemi një shtëpi ku flemë e një shtëpi ku flasim për të përcjellë pozitivitet ndaj ndjekësve dhe dëgjuesve, kështu nuk kam kohë për relaks sepse jemi shumë të përkushtuar ndaj njerëzve. Sigurisht i jap një rëndësi shumë të veçantë si veshjes edhe paraqitjes, çdo vend do patjetër gjënë e duhur në kohën e duhur, në vendin e duhur.

Si e mbani trupin në formë? Ndjek ndonjë klasë sporti?

Në këtë pikë kam shumë informacion, por e marr e ulur në karrige dhe akoma nuk jam ndërgjegjësuar deri në atë pikë që të ngrihem nga karrigia dhe të nis të eci, të vrapoj, të gjej vendet më të mira për fitness ku të trajnohem, por me mendje jam aty. Dua t’i bëj me shumë shpirt por nuk arrij dot.

Sigurisht që mund të kisha një fizik akoma më të mirë e më të përkryer, por njeriu ka prioritete në jetë dhe për mua nuk ka qenë asnjëherë prioritet vetëm bukuria fizike sepse edhe ajo do kohën e saj. Unë i jam kushtuar profesionit edhe jetës sime si familjare ashtu edhe shoqërore, të cilat nuk më kanë lënë shumë kohë. Ndoshta shumë shpejt edhe unë mund të filloj diçka sepse mosha edhe koha e do, jam duke e menduar se kur do të marr pjesë.



Cilat janë ushqimet që u jepni prioritet në dietën tuaj ushqimore?

Unë jam njeri që e dua ushqimin dhe e reflektoj besoj këtë sepse do hash që të kesh energji, të punosh, të flasësh, të komunikosh. Nuk kam qenë asnjëherë njeri që konsumoj shumë ushqim, por si duket kjo ka të bëjë pak edhe me pjesën genetike, prejardhjen dhe ngjashmëritë brenda familjes.

Unë kam ardhur gjithmonë një fëmijë i shëndetshëm dhe sot jam një zonjë e kolme, jam shumë e kënaqur me këtë gjë sepse po të ishim të gjitha 90-60-90 nuk do të kishte kuptim edhe bota. Mundohem që ta mbaj pak të frenuar edhe dëshirën për ushqimet e mira, e kam filluar që të jem më e kujdesshme. Preferoj sallatrat, mishin e pulës, gjërat e lehta dhe jo të yndyrshme, kryesisht gatimet tradicionale shqiptare më pëlqejnë jashtë mase dhe i bëj edhe vetë.

Cili është mëkati i ëmbël (përsa i përket ushqimit).

Patjetër që çokollata, deri më sot e kam konsumuar mjaft dhe më pëlqen. Çokollatën fondente e kam shumë qejf, por kam filluar ta pakësoj tani, nuk jam fare natyrë e sherbeteve. Gjëja e vetme që më prish mendjen është ndonjë çokollatë.

Cili është stili i të veshurit në përditshmërinë tuaj?

Unë jam edhe klasike edhe sportive, kam filluar t’i alternoj të dyja dhe varet nga ngarkesa e ditës që kam. Kur kam një takim më duhet me patjetër që të jem në formën time klasike, në përditshmëri kur rri në zyrë dhe nuk kam lëvizje të shumta preferoj këpucët e sheshta, veshjet sportive, flokët e lidhura, thjesht iki në zyrë e punoj. Nuk jam në përditshmëri njësoj, nuk më gjen dot njësoj.

Nëse shkoni në sallon kozmetik, çfarë trajtimesh bëni zakonisht?

Bëj krehjet, trukun kur kam dalje televizive dhe ndonjë masazh gjithmonë nëse kam kohë, një masazh floku ose fytyre, një maskë të shpejtë, kur kam kohë i bëj, nuk i lë. Tani këto gjithkush i bën, më vjen mirë që gratë janë ndërgjegjësuar për bukurinë dhe pamjen e tyre fizike.

Çfarë mendoni kur shiheni në pasqyrë?

Kur shoh veten në pasqyrë, falenderoj Zotin dhe e bëj sinqerisht këtë gjë për gjithçka kam e gjithçka që më ka falur, falenderimi fillon që nga prindërit që më sollën në këtë jetë. E ndiej veten se jam një njeri shumë energjik, që kam akoma shumë për të dhënë dhe jam shumë e lumtur për këtë fakt. Jam falenderuese edhe ndaj Zotit, edhe ndaj fatit, edhe ndaj prindërve të mi. sigurisht edhe ndaj miqve që na rrethojnë me pozitivitetin që na japin.



Pas një dite të lodhshme dhe impenjative, çfarë bëni për t’u relaksuar?

Nuk kam shumë kohë për t’u relaksuar. Unë mezi pres gushtin, gushti është pjesa ime e relaksit dhe më duket shumë e shkurtër. 2-3 javë nuk janë gjithçka sepse të presim njëmbëdhjetë muaj shumë të ngarkuar pune të përditshme.

Gjej shumë pak kohë për t’u relaksuar kryesisht të shtunën, e shtuna është e ndërthurrur me punët ndaj familjes dhe me pak relaks në natyrë. Pak orë të vogla relaksi që gjenden, besoj janë të mjaftueshme për të marrë energjitë për rifillimin e javës që vjen. Nuk e kuptoj relaksin në mënyrën e plotë si shumë të tjerë, por mundohem në mënyrën time.

Rutina e fytyrës, para se të shtriheni në shtrat?

Kjo është një gjë që unë e bëj në mënyrë absolute, sikur të jem gati edhe me sytë e mbyllur. Bëj kujdes me një larje shumë të fuqishme të fytyrës. Ndonjëherë edhe nuk i vë asgjë kur dua ta lë të lirë, ndonjëherë vë krem nate ose serum gjithmonë të firmës Korff ku kam gjetur qetësi.

Jemi në prag të sezonit televiziv, kur fillon “Shihemi në gjyq”?

Fillojmë së shpejti për të gjithë teleshikuesit që po e presin, kemi nisur punën dhe takimet me qytetarët. Në datën shtatëmbëdhjetë në orën 17:00 zonja Eni dhe zoti Gjebrea do të jenë në “Shihemi në gjyq”.

Jemi në sezonin e pestë, është një përgjegjësi shumë e madhe, vitet kanë ikur shumë shpejt. Ky është një përvjetor pune të jashtëzakonshme duke i dhënë kontribut shoqërisë për të kuptuar më mirë se çfarë është ndërmjetësimi, jam jashtëzakonisht e lumtur që njerëzit e kanë përqafuar dhe kuptuar ndërmjetësimin si një alternativë zgjidhjeje me pajtim.

Gjë për të cilën Shqipëria dhe ky popull ka shumë nevojë, kjo është lumturia më e madhe që më ka dhënë ky profesion dhe kjo rubrikë. Më lumturojnë mesazhet nga Amerika, Australia, Zelanda e Re e kur më thonë që mblidhen e shohin emisionin më rënqethet trupi nga emocioni.

E ndiej veten shumë mirë dhe jam munduar që këtë gjë të bëj tek shqiptarët, të sjell të vërtetën, jo vetëm shou por realitetin shqiptar që duam të zgjidhim. Kemi vendosur një objektiv që t’i japim këtij vendi drejtësi, e cila arrihet me paqe, komunikim, edukatë, kulturë dhe kjo është forma që unë kam zgjedhur të bëj televizion e të përciell te shqiptarët dashuri dhe pozitivitetin tim. /albeu.com/


Shtuar më 13/09/2017, ora 14:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori