Gjykata e Strasburgut i jep të drejtë “të fortit të Vlorës”, shifra që duhet t’i paguajë qeveria Fotaq Zaharisë

Gjykata e Strasburgut ka dhënë një tjetër vendim në disfavor të qeverisë shqiptare.

Fotaq Zaharia ose i njohur ndryshe si i “forti i Vlorës” ka fituar betejën gjyqësore ndaj qeverisë.

Ndërkaq, këtë të mërkurë, 1 Qershor, Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për të ekzekutuar verdiktin e gjykatës, për t’i akorduar Fotaq Zaharisë shumën 13 000 (trembëdhjetë mijë) euro, për mbulimin e dëmit pasuror dhe jopasuror dhe 2000 (dy mijë) euro, në lidhje me kostot dhe shpenzimet, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.

“Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 9.12.2021, për çështjen “Fotaq Zaharia kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.45022/16, përfundimtar, në datën 9.12.2021, në shumën 13 000 (trembëdhjetë mijë) euro, për mbulimin e dëmit pasuror dhe jopasuror dhe 2000 (dy mijë) euro, në lidhje me kostot dhe shpenzimet, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme”, thuhet në VKM.

Ndërkohë agimi i shumës, do të bëhet nga buxheti i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

 

 

VENDIMI

V E N D I M

PËR
EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 9.12.2021, PËR ÇËSHTJEN “FOTAQ ZAHARIA KUNDËR SHQIPËRISË” (KËRKESA NR.45022/16)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:

1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 9.12.2021, për çështjen “Fotaq Zaharia kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.45022/16, përfundimtar, në datën 9.12.2021, në shumën 13 000 (trembëdhjetë mijë) euro, për mbulimin e dëmit pasuror dhe jopasuror dhe 2000 (dy mijë) euro, në lidhje me kostot dhe shpenzimet, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.

2. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku depozitohen shumat, në datën e kryerjes së pagesës.

3. Vlera e përcaktuar si detyrim, në pikën 1, të këtij vendimi të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesit Fotaq Zaharia, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 9.12.2021.

4. Pagimi i shumës së depozituar, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të kërkuesit Fotaq Zaharia, të bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita, kur vendimi i Gjykatës është bërë përfundimtar.

5. Në rast mospagimi brenda afatit tremujor, të përmendur në pikën 4, të këtij vendimi, mbi shumën e mësipërme, paguhen interesa të thjeshta, të barabarta me kursin margjinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus 3%.

6. Efektet financiare, të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi, të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2022.

7. Ngarkohet Ministria e Financave dhe e Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ARBEN AHMETAJ