Ndihmoi 28-vjeçarin shqiptar të arratisej nga burgu italian për Vit të Ri, prangoset në Belgjikë i riu

Bashkëpunëtori shqiptar i 28-vjeçarit Kristjan Mëhillit është arrestuar në Belgjikë.

Kujtojmë se ai ndihmoi Mëhillin të arratisej natën e ndërrimit të viteve nga burgu i Vercellit në veri të Italisë.

Sipas mediave belge shqiptari është arrestuar në aeroportin e Zaventem kur donte të hipte në një avion për në Shqipëri, pasi ndaj tij kishte një urdhër arresti nga autoritetet italiane.

Bëhet me dije, se momentalisht ai është në pritje të ekstradimit në Itali.

28-vjeçari Mëhilli, u arratis mesnatën e 31 dhjetorit 2021 nga burgu me ndihmën e vëllait dhe dy personave të tjerë, të arrestuar tashmë.

Bashkë me të tentoi të arratisej dhe shoku i qelisë, duke sharruar hekurat e dritares së qelisë në katin e katërt, por vetëm 28-vjeçari arriti të arratisej. Pasi gjatë tentativës, shoku i tij i qelisë u rrëzua dhe pësoi disa dëmtime, çka çoi në kapjen e tij nga gardianët e burgut.

Mëhilli u kap më pas më 10 shkurt në Holandë.

Bashkëpunëtori i katërt i Mëhillit, i arrestuar në aeroportin belg, është një 29-vjeçar shqiptar me banim në Itali dhe i njohur në polici për vjedhje./albeu.com/