Mesazh për drejtësinë shqiptare? Meta nis ditën me shprehjen e Borsellinos: Kush ka frikë, vdes çdo ditë

Presidenti Ilir Meta e ka nisur ditën e sotme me një shprehje të gjyqtarit të njohur italian, Paolo Borsellino, i cili u vra sot 30 vite më parë.

Në thënien e publikuar nga Meta thuhet “Kush ka frikë vdes çdo ditë. Kush nuk ka frikë vdes vetëm një herë”, ndërsa shkruan se ashtu si Falcone, Borsellino e pagoi me jetë luftën kundër mafias.

“”Kush ka frikë vdes çdo ditë. Kush nuk ka frikë vdes vetëm një herë!” (Paolo Borsellino)

Si sot, 30 vite më parë, Paolo Borsellino, si ai më herët dhe Giovanni Falcone, e pagoi me jetë luftën e drejtë kundër mafias, për të na kujtuar gjithmonë se vetëm të bashkuar në mbrojtje të shtetit ligjor dhe dinjitetit njerëzor mund t’i çlirojmë shoqërinë dhe institucionet nga kapja prej krimit të organizuar.

Sakrifica e tyre është frymëzim për të dërrmuar mafien në çdo nivel dhe rikthyer besimin e qytetarëve tek Drejtësia!

Edhe sot Falcone dhe Borsellino frymëzojnë të gjithë prokurorët, gjyqtarët dhe politikanët e ndershëm për të mposhtur mafien dhe mbrojtur lirinë kudo në botë.”shkruan Meta.

Nuk dihet nëse është thjesht një mesazh përkujtimi, apo një mesazh për drejtësinë shqiptare që të veprojë pa frikë ndaj bandave kriminale të cilat kanë lulëzuar tej mase kohët e fundit.

Vetëm dy ditë më parë, në Fushë-Krujë, u vranë tre persona në një atentat mafioz në mes të ditës./albeu.com


Shtuar 19.07.2022 09:04