Vendimet e Ligës, reagimi zyrtar pas mbledhjes

Liga Profesioniste e Futbollit ka bërë me dije vendimet e marra ditën e sotme në mbledhjen e zhvilluar me presidentët e klubeve të Superiores.

Mësohet se të shtunën e javës së ardhshme, ekipet do të zbresin në fushë, por në shenjë proteste nuk do të luajnë.

Ata bëjnë me dije që nuk do të ketë kthim pas, ndërsa priten negociata mes përfaqësisë së caktuar nga FSHF-ja si dhe qeverisë. Në njoftimin sot pas mbledhjes, për mediet bëhej me dije:

“Liga Profesioniste e Futbollit

Vendim unanim i mbledhjes së datës 12 shtator 2020.

1) Klubet nuk do ta ndërpresin bojkotin e kampionatit dhe nuk do rikthehen më në fushat e blerta deri në përmbushjen e plotë të katër kërkesave të tyre. Në datën 19 shtator bojkoti do zhvillohet, pasi skuadrat të zbresin në fushë, të rreshtohen, të lexojnë kërkesat e Ligës dhe të solidarizohen me to. Nuk presim premtime nga qeveria, presim përmbushje të katër kërkesave tona minimale.

2) Mirëpresim vullnetin e shprehur të qeverisë për bisedime.

a – Këto bisedime duhet të jenë tripalëshe: Qeveri-FSHF-Ligë.

b – Grupi përfaqësues i Ligës në bisedimet me qeverinë përbëhet nga Koço Kokëdhima, Refik Halili dhe Gazment Demi.

Ne presim ftesën e qeverisë që këto bisedime të bëhen me të dhe në tryezat e saj.

c – Ne përshëndesim gatishmërinë, kontributin dhe përpjekjet e zotit Fidel Ylli për të përmirësuar kuadrin ligjor për sportet në Shqipëri dhe kemi besim se ai do mbetet i angazhuar për të mbështetur kërkesat tona. Për të biseduar me të Liga autorizon sekretarin e saj të përgjithshëm, Dritan Kadia.

3) Posterat e Ligës për bojkotin do bëhen publike nga dita e sotme.

4) U bëjmë thirrje komunitetit shqiptar të sporteve, shoqërisë civile dhe opinionit të gjerë shoqëror të bashkohen me kërkesat e Ligës dhe të mbështesin futbollin”.


Shtuar 12.09.2020 14:25