Gledis Nano porosi policisë: Angazhim maksimal nga të gjitha strukturat për parandalimin e krimeve

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano mori pjesë në analizat vjetore të punës së strukturave të Policisë që operojnë në qarqet Durrës dhe Tiranë.

Pasi ka vlerësuar angazhimin e strukturave gjatë vitit 2021 dhe rezultatet e arritura nga ana e tyre, Nano është ndalur edhe në problematikën dhe sfidat e këtij viti të ri.

“Parandalimi i krimeve të rënda është indikatori matës për sigurinë e qytetarëve. Ky indikator nuk ka qenë në favorin tonë gjatë vitit 2021, ndaj kërkoj nga të gjitha strukturat, angazhim maksimal, si nga ato të burimeve njerëzore, ashtu edhe ato inteligjente dhe teknologjia që keni në dispozicion. Duhet me çdo kusht të parandalojmë dhe të reagojmë fort kur ndodh një ngjarje. Të koordinojmë veprimet me të gjitha agjencitë ligjzbatuese, por të mos nënvlerësojmë informacionin e qytetarëve, se është shumë thelbësor, me qëllim që të zbardhen ngjarjet në kohë dhe ato të ndodhura më parë”, ka deklaruar Nano.

Ai porositi më tej policinë e Durrësit dhe Tiranës që të punohet për të marrë informacion për vendndodhjen e personave në kërkim, të atyre që kanë tendencë të mbajnë armë zjarri në banesë e më keq akoma që qarkullojnë me armë zjarri dhe të organizohen shërbimet për kapjen e tyre.

“Më jepni objekt konkret dhe keni gjithë mbështetjen time, do t’ju vë në dispozicion Forcat Operacionale, FNSH e RENEA, por me objekt konkret.

Të parandalohet me çdo kusht kultivimi i bimëve narkotike. Nuk do toleroj askënd, por askënd, cilido qoftë, që do implikohet dhe do bëhet palë me ata që tentojnë të kultivojnë. Nuk do mundet askush që të njollosë figurën time dhe as të Policisë së Shtetit. Përfitoj nga rasti që kam prefektin këtu, që t’i kërkoj mbështetjen e tij dhe të institucionit që drejton, që bashkërisht të punojmë për ta parandaluar kultivimin e kanabisit”.

“Njëkohësisht kërkoj nga ju që të evidentoni dhe godisni grupet kriminale që merren me trafikimin e lëndëve narkotike kanabis dhe drogave të forta. Përgjegjësia është e përbashkët, që nga Policia vendore deri te ajo Kufitare, për rastet e trafikimit të lëndëve narkotike. Ndaj bashkëpunoni duke shkëmbyer informacion edhe me SHÇBA-në dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, zhvilloni operacione të përbashkëta, për të krijuar një terren të pafavorshëm për ata që merren me veprimtari kriminale.

Reagimi juaj për ngjarje që cenojnë jetën dhe pronën e qytetarëve apo kur qytetarët kanë nevojë për ndihmën e Policisë është një tjetër indikator që shërben në rritjen e besimit të qytetarëve te Policia. Policia duhet të jetë shembull, Polici me autoritet dhe autoriteti fitohet me punë, ndershmëri e përkushtim”, ka deklaruar Gledis Nano.