Vendimet e qeverisë, rriten pagat e mjekëve dhe mësuesve të sistemit parauniversitar

Ka përfunduar mbledhja e qeverisë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu është shprehur se në fillim të këtij muaji, janë rritur pagat për mjekët, infermierët dhe profesionistët e shëndetësisë. Rritja e pagës është bërë me 6%.

“Duke filluar nga data 1 korrik, mjekët, infermierët, paga e tyre rritet me 6%. Shpërblim 15 mijë lekë në muaj për mjekët që përfundojnë specializimin, dhe ushtrojnë profesionin larg vendbanimit, hyn në fuqi menjëherë pas miratimit, nga i cili do përfitojnë rreth 300 mjekë. Rritja e pagave do vijojë. Synojmë që të rriten 40% duke filluar nga ky vit e në vazhdim. Ndërkohë që rritja e pagave do të vijojë fokusi do të jetë në përmirësimin e kushteve të punës”, tha Manastirliu.

Edhe ministrja e Arsimit Evis Kushi ka njoftuar rritjen e pagave për mësuesit e sistemit arsimor parauniversitar.

Nga data 1 korrik, pagat do të rriten me 6%, ndërsa rritje do të ketë edhe për pagesën e orëve suplementare.

“Për të gjithë punonjësit e sistemit arsimor parauniversitar, finalizuam angazhimin që kemi ndërmarrë që në fund të vitit të kaluar me miratimin e buxhetit për këtë vit. Do të rriten 6% pagat e punonjësve të sistemit të arsimor parauniversitar. 36 mijë punonjës që do përfitojnë nga data 1 korrik. Po rritet edhe paga e punëtorëve psikosocialë dhe oficerëve të sigurisë. Dua të theksoj që do të ketë rritje edhe për orët suplementare të mësuesve. Me 10% shtesa e orës suplementare për mësuesit”, njoftoi Kushi.