Nëse do të ketë ndërprerje të plotë të energjisë në Ukrainë, do të jetë një katastrofë

Nga Ann-Dorit Boy “Der Spiegel”

Njëmbëdhjetë milionë njerëz në Ukrainë po marrin aktualisht ndihma humanitare. Kombet e Bashkuara dhe OJQ-të janë ende në gjendje t’i ofrojnë ato, por ndoshta jo për shumë më gjatë, paralajmëron Denise Brown, diplomatja më e lartë e OKB-së që punon në Ukrainë.

E lindur në vitin 1963, kanadezja Brown është koordinatore rezidente e Kombeve të Bashkuara në Ukrainë. Ajo thotë se nëse sistemi energjetik ukrainas pëson një kolaps të plotë në mesin e dimrit kjo do të shkaktonte një katastrofë të rëndë humanitare.

Zonja Brown ju po mbikëqyrni një mision të madh humanitar në Ukrainë, dhe këtë vit kishit buxhetin më të madh në historinë e Kombeve të Bashkuara:4.3 miliardë dollarë…

Po, apeli për donacione për Ukrainën këtë vit ishte më i madhi në botë. Për vitin e ardhshëm, po planifikojmë të ruajmë gati të njëjtin ritëm të ndihmës. Ne po u sigurojmë ukrainasve gjërat e nevojshme themelore. Por ndërkohë ka gjithnjë e më shumë ukrainas që po zhyten në varfëri si pasojë e luftës dhe që kanë nevojë për ndihmë.

Për momentin cili është shqetësimi juaj më i madh?

Në rast se ka një ndërprerje të plotë të energjisë, do të jetë një katastrofë. Në këtë skenar ndihma ndaj një vendi me 40 milionë banorë do ta tejkalonte kapacitetin e komunitetit humanitar. Ne duhet të mendojmë së bashku që tani se çfarë duhet të bëjmë në atë rast.

A po i ndihmoni njerëzit në zonat që janë çliruar së fundmi me ndihmën e ushtrisë ukrainase, si për shembull në Kherson?

Po, ne reagojmë ndaj nevojave sa më shpejt që të jetë e mundur. Ne shkojmë atje brenda 72 orëve. Aktualisht po dërgojmë ndihma në rajonet Kharkiv dhe Kherson. Megjithatë, ka vende përgjatë lumit Dniepr ku ende nuk mund të shkojmë për shkak të bombardimeve.

Sipas mandatit të tyre, agjencive të ndihmës së OKB-së u kërkohet të ndihmojnë të gjithë ukrainasit e prekur nga konflikti, pavarësisht se ku ndodhen. A keni qenë në gjendje të kaloni vijën e frontit dhe të ndihmoni njerëzit në zonat e kontrolluara nga Federata Ruse?

Jo. Ne i kemi kërkuar të dyja qeverive se do të donim të dërgonim autokolona humanitare. Fatkeqësisht, Federata Ruse nuk na e ka dhënë këtë qasje deri më tani. Ne kërkojmë qasje pothuajse çdo javë. Nëse marr nesër autorizimin nga Federata Ruse, atëherë autokolona do të shkojë atje që nesër.

A keni qenë në gjendje të vlerësoni nevojat në zonat e kontrolluara nga Rusia? Dhe a ka ndonjë organizatë që përpiqet të ndihmojë njerëzit atje?

Ne nuk ishim në gjendje ta vlerësonim vetë situatën në territoret e kontrolluara nga Rusia. Por unë supozoj se ajo që ndodh nga njërën anë, po ndodh edhe në anën tjetër. Njerëzit janë zhvendosur nga lufta dhe zinxhirët e furnizimit janë ndërprerë. Komunikimi është ndërprerë, po ashtu furnizimet me ilaçe.

Njerëzit nuk mundën të përgatiteshin për dimër siç do të bënin zakonisht. Ka disa organizata që veprojnë në të gjithë vijën e frontit, por jo në një shkallë të gjerë. Dhe nuk ka përpjekje për t’u përgatitur për dimër. Sot, në Kiev temperatura është -4 gradë Celcius dhe situata po përkeqësohet çdo ditë.

Si e ndryshuan situatën sulmet masive ndaj infrastrukturës energjetike që nisën më 10 tetor?

Qeveria ukrainase vlerëson se rreth 50 për qind e infrastrukturës energjetike është dëmtuar ose shkatërruar. Pra, ka ende ndërprerje të energjisë elektrike. Kievi i ka bërë thirrje të gjithë komunitetit ndërkombëtar, OKB-së dhe të tjerëve që të sjellin materiale për të vazhduar riparimet. Pra, të gjithë po punojnë për t’i dërguar ato materiale. Kryetari i bashkisë së Kievit po planifikonte të ngrinte 1000 qendra ngrohjeje, por tani ai thotë se do të ketë 3000 të tilla.

Pra, përgatitjet e autoriteteve ukrainase për një ndërprerje të mundshme të energjisë, janë të ndara nga ndihma humanitare e OKB-së?

Ukraina është një vend shumë i aftë, veçanërisht Kievi. Por është e rëndësishme të thuhet se nëse na kërkohet mbështetje, ne do të gjejmë një mënyrë për ta ofruar atë. Më e keqja do të ishte nëse temperatura do të arrinte në -20 gradë Celcius dhe më pas do të ikte energjia elektrike.

Popullsia këtu, sidomos të moshuarit, duhet të mbrohen. Ne kemi planin tonë të emergjencës dhe nuk do të shkojmë askund. OKB-ja dhe OJQ-të do të qëndrojnë këtu. Unë ndoshta nuk do ta mbaja të gjithë stafin, por me siguri një bërthamë njerëzish që puna të vazhdojë.

Lufta po vazhdon dhe ne jemi dëshmitarë të shkatërrimeve të reja çdo ditë. Supozoj se nuk keni diskutuar ende mbi fazën e rindërtimit…

Ka disa pjesë të vendit, si rajoni i Sumit në verilindje, që u dëmtuan rëndë në fazat fillestare të luftës, por që tani janë kryesisht të mbrojtura nga sulmet ajrore. Guvernatori atje na ka kërkuar që të ulemi me ekipin e tij në janar të vitit që vjen për të parë se çfarë mund të bëjmë në fushën e investimeve bujqësore dhe rikthimin e shërbimeve sociale. Tek e fundit, njerëzit kanë humbur dokumentet, letërnjoftimet dhe shtëpitë. Pra për këtë do të diskutojmë në janar. Do të shohim aktivitetet e rimëkëmbjes së hershme aty ku është e përshtatshme.

Marrë me shkurtime

/albeu.com


Shtuar 12.12.2022 08:55