Gara për kreun e PD, Basha nis fushatën: Nuk ka vend në parti, për ata që janë shpallur non-grata nga SHBA

Kandidati pë kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka nisur fushatën e tij zgjedhore nga Kruja, ku ka zhvilluar një takim me anëtarë dhe simpatizantë të PD.

Me anë të një psotimi në Facebook, Basha shkruan se ndihet i lumtur që të nisë fushatën e tij brenda “familjes” me demokratët e Krujës.

Basha thekson se PD nuk është as e tij e as e ndokujt tjetër, duke theksuar se Partia Demokratike ju përket vetëm demokratëve.

Ndërhohë Basha e ka ritheksuar edhe njëherë se nuk ka vend në organet vendimmarrëse të PD për askënd që është i sanksionuar nga SHBA.


Postimi i Bashës:

Është nder dhe respekt i jashtëzakonshëm ta filloj këtë proces brenda familjes sonë politike nga Kruja, simbol i qëndresës, i krenarisë, i bashkimit. Jam para jush për të kërkuar mbështëtjen tuaj për të drejtuar Partinë Demokratike në një kohë të vështirë dhe sfiduese.

Partia Demokratike nuk është e imja, as e ndonjë individi tjetër, por është e demokratëve, të cilët e kanë mbrojtur atë në ditë të vështira e pas çdo sfide i’a kanë dalë ta bëjnë atë edhe më të fortë. Jam i bindur se kështu do të ndodhë sërish, sepse këtë presin prej nesh shumica e shqiptarëve.

Jemi përballur me një fushatë në kufijtë e një lufte civile, me një arsenal mjetesh nga më të pistat, metodash nga më të ultat, për ta detyrur PD të futet në një konflikt me SHBA, për ta detyruar PD të bëhet mburojë e problemit personal të një individi.

Ajo që sot është e sanksionuar në ligjet e PD dhe që dua ta rikonfirmoj edhe njëherë është se nuk ka vend në organet vendimmarrëse të Partisë Demokratike për këdo, lider, ish-lider, lider i ardhshëm, i cili shpallet non grata nga SHBA.

Ajo që është e rëndësishme për sot dhe të ardhmen e PD është se ajo do t’i mbetet besnike vlerave euroatlantike dhe interesave kombëtare.

Ne do të bëjmë një lidhje me të djathtën historike, me dyert e mëdha që hodhën themelet e shtetit shqiptar, me njerzit e lirë dhe demokratë që ishin radha e parë e persekutimit komunist, me kontribuesit pas viteve ’90, të të gjithë të përjashtuarve dhe viktimave politike gjatë këtyre 30 viteve, që të ndërtojmë së bashku një histori të plotë të Partisë Demokratike.

Demokracia pjesëmarrëse, përfshirja e gjerë e anëtarëve të partisë, e qytetarëve, e intelektualëve, e grave, e sipërmarrësve dhe grupeve të interesit në ndërtimin e alternativës më të mirë.

Aleanca Qytetare për Demokracinë, do të jetë koalicioni ynë për ta çliruar ekonominë dhe për t’i çuar përpara ndryshimet kushtetuese, që do të çbëjnë ato të 2008-ës, do të mundësojmë listat e hapura, vetting-un e politikanëve, votën e diasporës dhe kufizimin e mandateteve.

Sot ky është një mision i ri, ndoshta më i rëndësishmi që nga krijimi i kësaj partie.

Partia Demokratike do të jetë e të gjithë demokratëve, nga themelusit te më i riu, apo më e reja mes nesh. Një parti moderne, që pasqyron shoqërinë dhe nevojat e saj, me të rinj e të reja, me profesionistë të ndershëm që duan vendin e tyre. Ky është modeli që duhet t’u japim shqiptarëve, si shembull i një ndryshimi që po ndërmarrim për të ndryshuar politikën e vendit.


Shtuar 26.06.2023 19:25