Të vendosur në tenda dhe të pajisur me kazma e lopata, shqiptarët në Spanjë arrestohen duke punuar parcelën me rreth 3500 bimë (VIDEO)

Një operacion i madh anti-drogë është zhvilluar në Spanjë, ku në prangat e policisë kanë rënë dy shtetas shqiptarë.

Operacioni u zhvillua nga agjentët e Gardës Civile në Galicia të Spanjës, ku është kapur një nga plantacionet më të mëdha të marijuanës që është gjetur në këtë zonë vitet e fundit.

Plantacioni ndodhej në një livadh në malin komunal të famullisë së Pedres në komunën Cerdedo-Cotobade.

Agjentët u informuan për lëvizje të dyshimta të dy shtetasve shqiptarë dhe për praninë e tyre të pajustifikuar në Montes de Pedre. Falë bashkëpunimit të publikut, agjentët mundën të gjenin plantacionin dhe kur grupi hetimor mbërriti për të inspektuar zonën, zbuloi një sipërfaqe toke që i kalon 2500 metra katrorë, me 3437 bimë kanabis të kultivuara.

Në të njëjtën kohë, dy shqiptarët kanë mbetur të habitur, pasi ishin duke kryer punë kur ndodhi aksioni policor. Ata konsiderohen si autorë të dyshuar të një krimi kundër shëndetit publik, për trafik droge.

Ata jetonin në dy çadra që ishin ngjitur me plantacionin dhe kishin mjetet e nevojshme për të mbijetuar gjatë një sezoni të gjatë. Përveç materialeve të tjera, ata kishin një kuzhinë me sobë dhe shumë ushqime e pije.

Gjithashtu, në një tënd të tretë u gjet dokumentacioni personal i një shtetasi tjetër shqiptar , vendndodhja e të cilit nuk dihet.

Në këtë kamp, Garda Civile verifikoi edhe praninë e materialeve të ndryshme ndërtimore për të punuar në tokë si lopata, kazma dhe mjete të tjera bujqësore, plehra kimike dhe produkte kopshtarie. Përveç kësaj, kishte një fuçi plastike me ujë, me të cilën ishin të lidhura disa tubacione për të ujitur të gjithë plantacionin.

Operacioni përfundoi me prerjen dhe peshimin e bimëve. Tashmë ato do të vihen në dispozicion të autoritetit gjyqësor kompetent, ndërsa të arrestuarit u transferuan në Gjykatën Hetimore numër tre të Pontevedra, e cila i la në burg.

Për momentin vijon procedimi për gjetjen dhe arrestimin e personit, i cili sipas hetimeve mund të banonte në tendën e tretë të gjetur në këtë zonë të malit.