“Trekëndëshi i Bermudës”, Vangjeli: Basha, gabimi i opozitës dhe mandati i katërt i Ramës

Sulmi që Lulzim Basha i bëri Presidentit Ilir Meta ditën e enjte nga Kuvendi, ku e futi kreun e shtetit në një “thes” me Sali Berishën dhe Edi Ramën duke i cilësuar “trekëndëshi i Bernudës” ishte temë e emisionit “Log.” mbrëmjen e sotme në “ABC”. Për analistin Lorenc Vangjeli, lideri i PD-së është në pjesë e këtij trekëndëshi, “në mes të tij, ku qëndron boshllëku”.

“Po kthehem shumë kohë më parë, ka qenë një personazh i jashtëzakonshëm në Kombinat, Tiranë që thoshte dikur “donte të gjente një bombë atomike dhe kur e pyesnin për çfarë e do, thoshte dua të vras veten shpejt dhe pa dhimbje”. Në Tirana ka pasur një tjetër lloj trekëndëshi, ka qenë një periudhë disa javore, gati-gati një muaj e gjysmë, ku në një trekëndësh nga kati i dytë i Kryeministrisë në katin e dytë të kryesisë së Kuvendit, Rama në zyrën e kryeministrit, çadra poshtë, dhe Meta në katin e dytë. Ishin tre personazhe që dilnin në dritare dhe secili ja kishte me hile tjetrit.

Meta i shkelte syrin Bashës, por Basha nuk i besonte. Rama i shikonte si armiq potencial dhe mendonte ti përçante dhe absurdin e jashtëzakonshëm të 2017, kur Bashës ju dha luga bosh e bashkëqeverisjes dhe sulmonte Metën dhe Rama ishte mbi kurriz dhe ja ku kemi të gjitha arsyet pse kishte mandat të dytë Rama. Shikoni si u soll opozita nga 2019 për të kuptuar përse Rama është në një mandat të dytë. Shikoni cfarë po bëjnë sot duke mos kuptuar gabimet e tyre për të gjetur arsye që Rama të dredhë zinxhirin e mandatit të katërt.

Në politikë ka vetëm interesa dhe gabimi i opozitës, shumë herë më i madh i Bashës dhe diçka më pak, por gjithsesi mëkat i Kryemadhit është që nuk arritën të krijonin këtë front për t’u përballuar me qeverisjen, shtoni këtu po të doni edhe presidentin, se distanca mes tyre ishte shumë më e madhe. Mes dy vetave që zihen fiton i treti dhe Rama është kulmi i këtij trekëndëshi. Basha duke përmendur trekëndëshin e Bermudës tenton të heroizoi veten. Basha është pjesë e kësaj historie, e këtij trekëndëshi. Basha është në mes të këtij trekëndëshi dhe zakonisht në mes qëndron boshllëku” tha ai.

Ish-kandidati i PD-së për deputet në Durrës, Agim Baçi u shpreh se Lulzim Basha po tenton një ligjërim të ri politik. “Është një ligjërim politik që tenton të thotë për një fillim të ri. Ligjërime të tilla politika shqiptare ka pasur shumë gjatë 30 viteve” tha ai.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endri Braimllari tha se Ilir Meta u përfshi në debat me qëllim nga Lulzim Basha që të largohej vëmendja nga zhvillimet brenda PD-së. “E para për aksionin e Kryemadhit mund të flas, ka shkuar në SHBA, ka takime zyrtare me persona të rëndësishëm të senatit dhe kongresit. Këto takime i ka zhvilluar periodikisht edhe para 25 Prillit.

Përsa i përket aksionit që përfshihet, unë e kam parë Metën në detyrën e shtetarit, presidentit të Republikës, përfshirja në këtë situatë bëhet për të tërhequr vëmendjen nga një problem që mund të ketë Basha.

Por Meta nuk është në fushë dhe betejë. Përballë është Rama. Nëse do të qëndrosh fort për të mbrojtur interesat e opozitës, duhet të luftosh atë që ke përballë. Kur kanë një siklet hedhin emrin e Metës. Dhe tani për cfarë bëhet? Bëhet për të tërhequr vëmendjen nga realiteti që ndodhet PD brenda dhe kriza energjetike” tha ai.

Analisti Mentor Nazarko ka një tjetër këndvështrim. “Loja që po bën Basha sot me përmendjen e Metës është për të ndikuar te elektorati i PD-së. “Po të doni zgjidhni dikë që do të na bashkojë me Metën”. Basha përdori një mesazh sferik. Njëri prej kuptimeve është frikësimi i elektoratit të vet, që Berisha është dikush që bashkëpunon me Metën.

E sfidoi Metën dhe LSI-në që të përfshihen në betejën e brendshme për të thënë që këta po mbajnë anën e Berishës”. Por cfarë mendon ai për deklaratën e Kryemadhit “asgjë e re nga fronti i lindjes” pas sulmit të Lulzim Bashës për Ilir Metën? “Bëri aluzion për paratë ruse” tha Nazarko./ Abcnews.al


Shtuar 1.11.2021 22:37