U dhunua në kufi nga policia malazeze, Petraq Milo zbardh telefonatën me Abazoviçin

Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç ka deklaruar sot i ka kërkuar falje personalist përmes një telefonate ish-ministrit dhe profesorit të njohur shqiptar Petraq Milo, i cili u dhunua nga policët malazezë në kufirin mes Shqipërisë e Malit të Zi.

Profesor Milo përmes një telefonate me gazetaren e Gazetës Express Beklie Koltraka ka pohuar se kryeministri i Malit të Zi i ka kërkuar falje këtë të premte, ndërsa ka zbardhur dhe bisedën që ka pasur me të.

“Po është e vërtetë ka pasur një telefontë këtë të premteMë ka kërkuar falje dhe më ka thënë atë që ka thënë edhe sot në mbledhje qeverie që është përgënjeshtruar ajo që jam futur unë pa radhë, përkundrazi kam mbajtur radhë”, tha Milo për Gazetën Express.

Ish ministri komentoi edhe deklaratën e disa ditëve më parë nga Abazoviç i cili ndonëse u shpreh se janë marrë masa për efektivët që në momentin e publikimit të videos së dhunës, shtoi se ka edhe një anë tjetër të medaljes, që sipas tij Petraq Milo nuk ka respektuar radhën. Milo tha për Express se gjatë telefonatës kryeministri i Malit të Zi i ka komunikuar se është përgënjeshtruar deklarata për radhën.

Prononcimi i profesorit Petraq Milo për Gazetën Express

Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç ka deklaruar sot se iu ka kërkuar falje juve personalisht në lidhje me incidentin në kufirin mes Shqipërisë e Malit të Zi. A ka pasur një telefonatë nga Abazoviç?

Po është e vërtetë më ka telefonuar këtë të premte.

Çfarë ju ka thënë?

Më ka kërkuar falje dhe më ka thënë atë që ka thënë edhe sot në mbledhje qeverie që është përgënjeshtruar ajo që jam futur unë pa radhë, përkundrazi kam mbajtur radhë.

Konfirmoj se kryeministri i Malit të Zi më ka marrë në telefon dhe më ka kërkuar falje, gjithashtu më ka ftuar në Podgoricë për këtë falje publike që më ka bërë. Çështja është ndjekur në rrugë institucionale. Duke ndjekur këtë rrugë sigurisht që është kërkuar edhe falje publike për rastin tim./Express/