“Nuk paguan shtëpinë e pushimit”, dy durrsakë marrin peng 4 turistë nga Kosova

Dy durrsakë kanë marrë peng për 45 minuta katër turistë nga Kosova, me pretendimin se këta të fundit nuk kishin kryer pagesën për akomodimin në shtëpinë e pushimit.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në lagjen nr.13 në Durrës.

Uniformat blu bëjnë me dije se dy durrsakët morën peng katër turistet nga Kosova në garazhin e banesës ku ata ishin akomoduar për pushime.

Pas ndërhyrjes së policisë dy shtetasit  Nexhmi Xhili, 49 vjeç dhe  Dritan Kucaj.48 vjeç, të dy banues në Durrës u arrestuan.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i Policisë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, pas kallëzimit nga disa shtetas kosovarë, se në lagjen nr. 13, në Durrës, dy shtetas i kishin hequr lirinë atyre, në garazhin e banesës ku ata ishin akomoduar për pushime, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin, kapjen dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit N. Xh., 49 vjeç dhe D. K., 48 vjeç, të dy banues në Durrës.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se i kanë hequr lirinë përreth 45 minuta, duke i mbajtur në garazhin e banesës, katër shtetasve nga Kosova, të cilët ishin akomoduar për pushime në një shtëpi pushimi në pronësi të shtetasit D. K., me pretendimin se nuk kishin kryer pagesën për akomodimin.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme./albeu.com/